Maqedoni
Struga kujtoi gjenocidin në Kosovë
16.01.2024 16:40
Mbrëmë në sheshin e qytetit, Struga iu bashkua mbështetjes së trojeve shqiptare për Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”...

Mbrëmë në sheshin e qytetit, Struga iu bashkua mbështetjes së trojeve shqiptare për Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, nën organizimin e shoqatës atdhetare “Foleja e shqipes”. Edhe pse koha me shi nuk premtoi shumë, struganët atdhedashës ndezën qirinj në shenjë kujtimi dhe mbështetje të viktimave të gjenocidit në Kosovë. Historianë, aktivistë dhe artistë nuk ngurruan të thonë edhe disa fjalë viktimat dhe të pagjeturit e luftës.
“Ne jemi tubuar këtu për të çuar një mesazh ose për t’u dhënë ngushëllime familjes së njerëzve që janë të zhdukur, por megjithatë për të çuar një mesazh, zoti i dhëntë jetë të gjatë kryeministrit të Kosovës, se po qëndron si burrë, dhe dashtë zoti të zbulohen ato njerëz që i ka zhdukur Serbia.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës “Foleja e shqipes”, Ajrush Miftari.
“E ritheksoj se është dashur që gjaku i gjithë atyre njerëzve të derdhet, kurse britmat e atyre familjarëve dhe fëmijëve ta zgjojnë vetëdijen dhe ndërgjegjen e Evropës dhe miqve tanë. Dëshiroj që populli i Kosovës ta gëzojë lirinë dhe gjithë të mirat.”, - theksoi aktivisti, Irfan Vlashi.
“25 vite më parë më 15 janar të vitit 1999, njësitë paramilitare serbe bënë masakrën në Reçak, e cila në fakt ndryshoi natyrën dhe fatin e Kosovës, për këtë vetë ambasadori pasi e pa këtë pamje, ku në këtë acar masakruan mbi 45 vetë dhe ai pastaj e dha mendimin që të bëhen sulme kundër njësive ushtarake serbe, e cila pas 78 ditësh u detyrua të largohet nga Kosova.”, - u shpreh historiani, Nebi Dervishi.
“Gjenocidi në mbarë historinë tonë shqiptare është bërë vazhdimisht, për fat të keq të mëdhenjtë shtypin, vrasin, masakrojnë dhe zhdukin të vegjlit. Por, për fat të mirë, nën dhe, se mbi dhe nuk ka dëshmorë. Duhet t’i kujtojmë ata nën dhe. Për atë arsye, borxhin madhor dhe absolut ua kemi Adem Jasharëve, Zahir Pajazitëve, Teutës, Skënderbeut. Por, flasim për gjenocidin e viteve 25-vjeçare, që arriti kulmin deri sa u zgjua Evropa.”, - u shpreh aktori, Pajazit Murtishi.
Në fund të fjalimeve të pjesëmarrësve, u recituan edhe disa vargje për kryekomandantin e Kosovës, Adem Jashari.
ILMIE ZHAKU
