Maqedoni

Takimi Osmani – Hasani, RMV-ja dhe Shqipëria, të përgatitura t’i hapin kapitujt

17.01.2024 11:40

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zhvilloi takim me ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë....

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zhvilloi takim me ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili ndodhet në vizitën e parë zyrtare në vend pas marrjes së detyrës. Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet dypalëshe, situata aktuale politike në rajon, aleanca e NATO-s, si dhe perspektivat evropiane të të dy vendeve. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme të hapin  kapitujt dhe kjo nuk duhet të vonohet; përkundrazi, të dy vendet duhet të vazhdojnë negociatat dhe të përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë në BE, u potencua me këtë rast. 

“Dua të theksoj krenarinë tonë për rolin që luan faktori shqiptar për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Për forcimin e lidhjeve tona për të cilin ky faktor shqiptar ka shërbyer si urë lidhëse dhe për ruajtjen e orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet angazhimin e subjekteve politike shqiptare dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në procesin politik. Besoj se fakti që Maqedonia e Veriut edhe pse përkohësisht do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar është tregues simbolik i progresit që ka bërë vendi juaj, për këtë dua të shpreh admirimin tim gjithë qytetarëve. Mbështesim arritjet e Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një shoqërie funksionale dhe etnike”, tha ministri Hasani.