Botë

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Gërvalla: 17 janari, dëshmi e sakrificës për liri

17.01.2024 14:00

Me homazhe pranë varreve të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, krerët e institucioneve të Kosovës...

Me homazhe pranë varreve të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, krerët e institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar 42-vjetorin e vrasjes së tre veprimtarëve të çështjes kombëtare në Gjermani. Pjesë e homazheve ishte edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit edhe vajza e Jusuf Gërvallës, e cila tha se 17 janari, data kur u vranë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, është një prej datave që na përkujton se liria nuk u fitua lehtë dhe shpejtë, por me sakrifica të mëdha. 
 
“17 janari dhe datat e tilla të rëndësishme për ndërgjegjen historike të Kosovës, do të duhet të na përkujtonin se sa e vlefshme është kjo liri që kemi dhe sa duhet të punojmë dhe luftojmë që ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta bëjmë Kosovën shtetin të cilin e kanë dashur të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe janë flijuar për vendin e tyre.”, - deklaroi vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla.
 
Osmani: 42 vite më parë u godit përpjekja për liri
 
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar.
 
“Në këtë datë, 42 vite më parë janë vrarë në Gjermani, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke i dhënë kështu një goditje të madhe përpjekjeve të gjata e sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, por njëkohësisht duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit dhe sakrificës, me miliona shqiptarë gjithandej, të cilët për vite me radhë pastaj kontribuuan për lirinë e Kosovës, të cilën e gëzojmë sot.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, u vranë nga shërbimi sekret jugosllav 42 vite më parë në Shtutgart të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane aso kohe ishte njoftuar se vrasja e trefishtë ishte pjesë e luftës së fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit po luftonin mes tyre. Por, as pas katër dekadash, vrasja e tre veprimtarëve shqiptarë nuk është zbardhur.
 
GYLTENE SINANI