Maqedoni

Mundësia për shtyrjen e afatit për pasaportat, Osmani: Të mos jepet shpresë e rrejshme

17.01.2024 14:36

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, nuk dëshiron t’u jepet shpresë e rrejshme qytetarëve për shtyrjen e afatit...

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, nuk dëshiron t’u jepet shpresë e rrejshme qytetarëve për shtyrjen e afatit të pasaportave dhe lejeve të vozitjes. Ai thotë se duhet të fokusohemi në përshpejtimin e procesit të dhënies së dokumenteve të reja personale, megjithëse MPJ-ja do të bëjë gjithçka që ka në dorë që pas 13 shkurtit t’u dilet në ndihmë atyre që nuk do të arrijnë me kohë të ndryshojnë dokumentet personale. 
 
“Është më mirë t'u themi qytetarëve se kemi detyrim. Le ta organizojmë që të kalojë pa shumë vështirësi, në vend që t'u japim qytetarëve shpresa të rreme se afati do të shtyhet për hir të një lloj avantazhi politik parazgjedhor. Shohim që turmat po zvogëlohen në disa pjesë. Le të vëmë në dispozicion të gjitha forcat institucionale për ta bërë më të lehtë që qytetarët të mos kenë asnjë problem kur udhëtojnë pas datës 13 shkurt. Le t'u themi qytetarëve se kemi edhe një muaj, të organizohemi sa më shumë për ata që nuk i kanë ndërruar, t’i ndërrojnë dhe pas 12 shkurtit do të shohim nëse do të gjejmë zgjidhje për ata që nuk ia kanë dalë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
 
Ai bëri të ditur se ka pasur një takim me ambasadoren greke dhe koordinim ndërinstitucional me ministritë e Brendshme dhe të Transportit për të shqyrtuar të gjitha sfidat që mund të dalin pas datës 12 shkurt për t'u përballur me qytetarët.
 
“Ramë dakord që të jemi në komunikim të përditshëm me palën greke që qytetarët të mos kenë probleme pas 13 shkurtit për transportuesit, për lejet e qarkullimit, për pasaportat.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
 
Përndryshe, autoritetet e shtetit ende nuk e kanë definuar se kush duhet të komunikojë me Greqinë për t’u kërkuar ndryshimin e Marrëveshjes së Prespës, me qëllim që të shtyhet afati për ndërrimin e pasaportave dhe lejeve të vozitjes me emrin e ri të shtetit. Kryeministri pret që një gjë të tillë ta bëjë presidenti, por nga ana tjetër nga presidenca kanë thënë se Pendarovski nuk ka ndërmarrë obligim të tillë, pasi që ajo është një detyrim i Qeverisë dhe Kuvendit.
 
Ndërkohë autoritetet kanë bërë të ditur se letërnjoftimet me emrin “Republika e Maqedonisë” do të jenë të vlefshme edhe pas 12 shkurtit, vetëm për përdorim të brendshëm. Kjo nënkupton se qytetarët nuk do të mund të kalojnë kufirin me kartat e identitetit, të cilat përmbajnë emrin e vjetër të shtetit. Siç njoftojnë nga MPB-ja deri më tani janë nxjerrë mbi 1 milion e 200 mijë pasaporta në  tërë territorin e shtetit, ndërsa në punktet e aplikimit tanimë një kohë të gjatë vërehen radhë të gjata qytetarësh që dëshirojnë të pajisen me dokumente të reja.  
 
ERSAN PAJAZITI