Maqedoni

Gir për Këshillin Gjyqësor: Anëtarët t’i zbatojnë rekomandimet e BE-së

17.01.2024 14:54

Ambasadori evropian në vend, Dejvid Gir, është optimist se mund të arrihet përparim i mirë në funksionimin e Këshillit Gjyqësor.....

Ambasadori evropian në vend, Dejvid Gir, është optimist se mund të arrihet përparim i mirë në funksionimin e Këshillit Gjyqësor. Pas takimit me kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, Gir u shpreh optimist se të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor do të mund të kthejnë një faqe të re ku bashkërisht do t’i zbatojnë rekomandimet e BE-së.  Gir përshëndeti vendimin e Gjykatës Administrative me të cilën Dameva sërish është kthyer në krye të Këshillit Gjyqësor dhe tha se i jep mbështetje në veprimet e saja të mëtutjeshme dhe angazhimet e ardhshme të Këshillit Gjyqësor për të garantuar sundimin e ligjit dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në gjyqësor.
 
"Pas aktvendimit të Gjykatës Administrative me të cilën u anulua vendimi për shkarkimin e Damevës, kam shfaqur interesim që të takohem me kryetarin e Këshillit Gjyqësor. Siç e dini, unë nuk jam takuar me paraardhësin e saj, sepse në atë kohë kemi shprehur shqetësimin tonë për mënyrën e shkarkimit të Damevës, por edhe për zgjedhjen e kryetarit të atëhershëm të Këshillit Gjyqësor. Shqetësimi ynë ishte adresuar nga ana e Gjykatës Administrative me vendimin e tyre për ta kthyer Damevën sërish.", - deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, Dejvid Gir.
 
Këtë Gir e tha gjatë hapjes së fillimit të Panairit të shoqërisë civile, ku u promovuan mjetet të cilat BE-ja i ndan për sektorin civil, e të cilat arrijnë vlerën e 900 mijë eurove, mjete të pakthyeshme për 49 iniciativa të OJQ-së, të cilët përforcojnë rolin dhe rezistencën e shoqërisë civile. Sipas Girit, vetëm në këtë mënyrë do të arrihet sundimi i ligjit, barazisë gjinore, ndërgjegjësimi mjedisor dhe rritjes ekonomike dhe sociale në vend. Në këtë panair OJQ-të prezantuan të arriturat e tyre gjatë vitit të kaluar dhe planet për këtë vit. Me financimin e mekanizmit për rezistencë civile, BE-ja dëshiron të përafrojë standardet evropiane në vend. 
 
REXHEP QAMILI