Maqedoni
Takimi Osmani - Hasani në Shkup, Shkupi e Tirana të gatshme t’i hapin kapitujt me BE-në
17.01.2024 15:12
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate shumë të mira në fushën eurointegruese...

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate shumë të mira në fushën eurointegruese që ndërlidhet me procesin e skriningut dhe janë në pritje të hapave të radhës, hapjen e klasterëve me BE-në, u dakorduan në Shkup dy ministrat e Jashtëm të RMV-së dhe Shqipërisë, Bujar Osmani dhe Igli Hasani. Osmani ripërsërit se integrimi evropian, përveç si aspiratë politike, është ngritur edhe në sfidë sigurie, për çka potencon angazhimin më të madh evropian dhe amerikan në politikat e Ballkanit.
“Jemi vende që kemi zbatim të lartë të aquis evropiane në legjislacionin e brendshëm, vende që janë gardianët e vlerave të qytetërimit perëndimor këtu në Ballkan dhe qytetarët me të drejtë janë të padurueshëm për të marrë më shumë nga Evropa tani, për të marrë hapjen e kapitujve dhe klasterëve. Evropa, sigurisht edhe me pjesëmarrje të thellë edhe të ShBA-së, duhet të forcojë praninë e saj në rajon, të forcojë pjesëmarrjen e saj edhe në politikat e brendshme të Ballkanit dhe në këtë mënyrë jo vetëm të forcojë rolin tonë mbrojtës, por edhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm parandalimi si një nga politikat kryesore të sigurisë së Evropës.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Pas rezultateve pozitive të skriningut të Shkupit dhe Tiranës me Komisionin Evropian, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, potencon bashkëpunim të mëtutjeshëm me vendin tonë dhe punë maksimale, në mënyrë që rajoni të arrijë aty ku janë vënë strategjitë rajonale.
“Zgjerimi dhe thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi është jetik për të ardhmen e rajonit, në një kohë plot paqartësi dhe pasiguri si kjo ku jetojmë. Sot më shumë se kurrë, vendet tona, shoqëritë tona, ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Gjëja më e rëndësishme është që të vazhdojmë të jemi të bashkuar, jo vetëm si shqiptarë, por edhe me të gjitha forcat progresiste në rajon për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, në familjen evropiane.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.
Ministri Hasani në agjendë ka takime edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendësin e parë të kryeministrit, Artan Grubi dhe zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bojan Mariçiq. Në biseda është konstatuar se partneriteti dhe angazhimi miqësor mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sjell sukses në rrugën eurointegruese të të dyja vendeve, si dhe progres dypalësh që vjen nga bashkëpunimi mes dy shteteve fqinje.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
