Maqedoni

Osmani: BDI, ende nuk ka vendosur për kandidat për president

17.01.2024 15:47

BDI-ja ende nuk ka sjellë vendim nëse do të kenë kandidatin e saj për president apo do të mbështesë kandidatin e LSDM-së...

BDI-ja ende nuk ka sjellë vendim nëse do të kenë kandidatin e saj për president apo do të mbështesë kandidatin e LSDM-së. Ndërsa kjo parti është në koordinim e sipër me disa subjekte edhe sa i përket pjesëmarrjes në koalicion në zgjedhjet parlamentare. 
 
“Ende nuk është vendosur, siç e dini në mbledhjen e fundit të kryesisë është autorizuar, nëse mund të them, që kryetari i partisë t’i udhëheq negociatat dhe të marrë vendim, ata negociata ende vazhdojnë. Në momentin kur do të ketë vendim, do të informojmë.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Osmani: Vetëvendosja nuk do të ketë ndikim në RMV
 
I pyetur për paralajmërimet për veprim të Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në skenën politike në Maqedoninë e Veriut Osmani, tha se përpjekje të tilla ka pasur edhe më herët, por kjo nuk do të ndikojë në skenën politike në vend, e cila është e konsoliduar. 
 
“Përpjekje të tilla për përkrahje dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë kishte bërë edhe më herët kandidati për president, i cili atëherë ishte ministër në Qeverinë e Kosovës, përmes pjesëmarrjes së eksponentëve të lartë në tubime dhe tubime parazgjedhore. Dhe kjo tregoi se skena politike e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e konsoliduar dhe nuk pres që të ndikojë tani, siç nuk ka ndodhur më parë.”, - theksoi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Hasani: Mbështesim forcat pro-evropiane shqiptare
 
Për të njëjtën çështje u pyet edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, i cili tha se mbështet forcat proevropiane të shqiptarëve në RMV. 
 
“Unë jam përfaqësues i Republikës së Shqipërisë. Kam ardhur këtu për të mbështetur forcat progresiste, proevropianiste shqiptare edhe të Maqedonisë së Veriut në qëndrimet e tyre të qarta për të ardhmen tuaj evropiane.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. 
 
Edhe partitë tjera shqiptare po bëjnë përgatitjet e tyre. ASh-ja, e ndodhur mes ofertës për koalicion me BDI-në dhe bllokun opozitar apo opsionin për të garuar e vetme, është në shqyrtim e sipër të opsioneve në organet partiake. Derisa LSDM-ja ka formuar ekipin për zgjedhjet parlamentare, si dhe kanë startuar procedurën për propozimin e kandidatëve të mundshëm për president. VMRO-DPMNE-ja ende analizon kandidatët për deputetë, ndërsa kandidatin për president do ta shpallin në konventën e 2 marsit. “Gara po ngushtohet” edhe te blloku politik shqiptar, por ende s’ka emra konkretë. Ndërkohë në bllokun maqedonas, skenës politike në vend i është shtuar edhe një parti politike Alternativa e re, e kryetares së Shkupit, Danella Arsovska. 
 
SANIJE DURAKU