Ligji për Ekonomizim me Ujëra përplas BDI-në dhe VMRO-në
Propozim-ligji i plotësuar për ekonomizim me ujëra ka përplasur ashpër deputetët e grupit parlamentar të BDI-së dhe deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE...

Sipas deputetëve të BDI-së, me këtë projektligj pushteti qendror po ndërhyn në kompetencat e pushtetit lokal sa i përket ekonomizimit të ujërave. Veç kësaj, propozim-ligji është në kundërshtim me disa ligje të tjera, konstatojnë deputetet e BDI-së.
“Ne nuk jemi kundër shumë gjërave këtu, ne jemi kundër konceptit të centralizimit, a jemi në një kohë të decentralizimit të pushtetit? A e dini se në çfarë situate do t’i sillni komunat apo ndërmarrjet publike për furnizim me ujë të komunave, të cilat edhe sot ujin që e kanë pa para, duhet t'i shtiem në situatë më të palakmueshme financiare. Por, duhet të dini edhe një gjë se sistemet komunale i kanë ndërtuar vetë komunat me paratë e tyre, jo ish-“Vodostopanstvo” apo kjo shoqëri aksionere”- deklaroi deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.
Mirëpo, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit me Ujera, Vanço Kostadinovski, thotë se koncepti aktual i ekonomizimit të ujërave ka rezultuar i pasuksesshëm, prandaj qeveria propozon koncept tjetër dhe themelimin e shoqatave aksionare në nivel qendror, që do të merret me ekonomizimin e ujërave.
“Shoqëria aksionare nuk ka për qëllim t’i marrë këto sisteme, mirëpo do ta dërgojë ujin në sistemet e ndërmarrjeve komunale publike, ku më tutje do ta përcjellin siç e kanë bërë atë deri më tani ndërmarrjet për ekonominë e ujërave. Të njëjtat këto ndërmarrje në mënyrë të njëjtë kanë grumbulluar mjete, disa në mënyrë efikase dhe disa në mënyrë joefikase”- tha zëvendësministri i Bujqësisë, Vanço Kostadinovski.
Për faktin që propozim-ligji ngërthen në vete çështje që ndërhyjnë në kompetenca të pushtetit lokal dhe për faktin që me këtë ligj rregullohen edhe çështje të kompetencave të ndërmarrjeve publike komunale, të cilat janë të rregulluara me Ligjin për Pushtetin Lokal, i cili është i miratuar me 2/3 dhe me votim të dyfishtë, koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Talat Xhaferi, kontestoi mënyrën e votimit të këtij Ligjit për Ekonomizimin me Ujërat dhe kërkoi qëndrimin e komunitetit për marrëdhënie mes bashkësive.
“Për faktin që bëhet fjalë për ato ndërmarrje që rregullimi i tyre është rregulluar me ligj, që është miratuar me dy të tretat dhe me votim të dyfishtë, unë dëshiroj që mbi bazë të amendamentit 17 të Kushtetutës dhe amendamentit 12 të Kushtetutës, Ligjit për Komitetin të kontestoj mënyrën e votimit të këtij ligji dhe kërkoj që të mblidhet komiteti të diskutojë këtë çështje”- theksoi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
Sipas deputetëve të BDI-së, ky propozim-ligj, ndër të tjera, do të dëmtojë vetë bujqit, të cilët nga njëra anë motivohen me subvencione, ndërsa nga ana tjetër do t’u merren dyfish më shumë para si taksë paushalle për shfrytëzimin e sistemit për vaditje. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
