Maqedoni
556 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, kurora lulesh te përmendorja e Skënderbeut, përkujtohen Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka
17.01.2024 16:53
Në 556 vjetorin e vdekjes se heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu...

Në 556 vjetorin e vdekjes se heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kryeparlamentari, Talat Xhaferi; ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, vendosën kurora lulesh para përmendores së Gjergj Kastriotit në Shkup. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, njëherit përkujtoi edhe vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
“Sot është ditë e shënuar, dita e Skënderbeut, dita e komandantit të gjeneralit të gjeneralëve, të lëvizjes çlirimtare shqiptare, e rezistencës së madhe të pasvdekjes së Skënderbeut, që ne na shërbeu si frymëzim dhe na mbajti shpirtin gjallë deri në çlirimin e Kosovës dhe barazinë e plotë të shqiptarëve në RMV. Unë vij nga shpalosja e shtatores në qendrën e Gjilanit të Kadri Zekës, i cili u ekzekutua nga “UDBA Jugosllave” në Shtutgart të Gjermanisë, sepse ai deshi t’i bashkojë politikisht shqiptarët që ata të çlirohen. Sot isha njeriu më krenar që unë shpalosa shtatoren e tij si një vazhdues i këtyre prijësve, Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
556 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe vrasjen e tre veprimtarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, e përkujtoi edhe kreu i ASh-së, Arben Taravari.
“Përkulemi para jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, padyshim një nga figurat më të lavdishme të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore, strateg gjenial dhe diplomat i shquar. Ai ishte shkëndija që ia trasoi rrugën shqiptarëve drejt Evropës dhe frymëzimi kryesor për Rilindësit dhe Etërit e Kombit në ngritjen dhe zhvillimin e kombit shqiptar mbi vlerat perëndimore. Në këtë ditë kujtojmë edhe tre dëshmorët e historisë më të re të popullit shqiptar, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zekën, të cilët me rënien e tyre heroike 42 vite më parë, i dhanë shpirt lëvizjes kombëtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe lirinë e barazinë e shqiptarëve në të gjitha trojet.”, shkruan kreu i ASh-së, Taravari.
Aktivitet për shënimin e 17 janarit përmbyllen me “Flakën e janarit” në Gostivar, ku përkujtohen të gjithë këta njerëz, të cilët dhanë shumë për liri dhe demokraci.
GAZMEND KURTISHI
