Botë

Gaza dhe Bregu Perëndimor, Izraeli vazhdon sulmet dhe bastisjet

17.01.2024 17:17

Forcat izraelite kanë shtuar sulmet në jug të Gazës...

Forcat izraelite kanë shtuar sulmet në jug të Gazës. Po ashtu bastisjet dhe sulmet në Bregun Perëndimor kanë shënuar shumë viktima. Ushtria izraelite tha se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun Perëndimor. Ahmed Abdullah Abu Shalal, i cili sipas ushtrisë izraelite ishte përgjegjës për infrastrukturën dhe kishte planifikuar disa sulme kundër izraelitëve në Jerusalem, ishte në mesin e katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer mëngjesin e së mërkurës në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus.
 
Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor, që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbi 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shumica gjatë bastisjeve izraelite dhe protestave të dhunshme.
 
Makron: Siguria e Izraelit është në rrezik
 
Katari dhe Franca arritën një marrëveshje me Izraelin dhe Hamasin për dërgimin e menjëhershëm të ilaçeve për 45 pengjet izraelite në këmbim të ndihmës humanitare dhe mjekësore për civilët palestinezë. Televizioni kombëtar i Izraelit konfirmoi vdekjen e dy pengjeve izraelite, të paraqitur më parë në një video nga Hamasi. Shtëpia e Bardhë ka dërguar një zyrtar të lartë në Lindjen e Mesme për të ndihmuar me negociatat.
 
"Vetë siguria e Izraelit është në rrezik, në planin afatgjatë, duke pasur parasysh pasojat në të gjithë rajonin. Prandaj, ne do të vazhdojmë të insistojmë për iniciativa diplomatike, rezoluta, diskutime për të kërkuar një armëpushim dhe do të punojmë në nivel dypalësh.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
ShBA-ja vazhdon t’i godasë rebelët Huthi
 
Përshkallëzimi i fundit i armiqësive në Lindjen e Mesme paralajmëron rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal. ShBA-ja nisi një sulm të tretë kundër Huthit në Jemen si hakmarrje për sulmin ndaj një anijeje me flamur maltez. Ndërsa nga raketa e lëshuar nga rebelët Huthi u godit edhe një anije greke, derisa po lundronte nga Vietnami për në Izrael. 
 
“Ne kemi mobilizuar një koalicion vendesh për të ndërmarrë sulme drejt degradimit të aftësive të Huthit. Ne prisnim se ata do të vazhdonin të kërcënonin këtë arterie kritike dhe ne rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë veprime të mëtejshme.", - theksoi këshilltari për sigurinë kombëtare të ShBA-së, Xhejk Sullivan. 
 
Huthi: Sulmet në Detin e Kuq vazhdojnë
 
Zëdhënësi i Huthit deklaroi se sulmet do të vazhdojnë edhe pse qytetarët palestinezë vuajnë.
 
"Forcat e armatosura të Jemenit do të vazhdojnë të pengojnë lundrimin e anijeve izraelite ose anijeve të lidhura me armikun izraelit si në Detin Arabik ashtu edhe në Detin e Kuq derisa të ndalojnë agresionin dhe të heqin bllokadën e popullit të palëkundur palestinez në Gaza.", - theksoi zëdhënësi ushtarak i Huthit, gjeneral brigade, Jahja Sari. 
 
Pasi Irani lëshoi raketa në objektiva në Siri dhe Irak, ai gjithashtu sulmoi me raketa bastionet e grupit militant sunit, Xhaish al-Adël në Pakistanin fqinj. Dy fëmijë vdiqën.  Ministria e jashtme e Pakistanit e ka dënuar, siç ka thënë, shkeljen e paprovokuar të hapësirës së saj ajrore nga Irani dhe i ka dërguar note proteste Teheranit. Ndërkohë Kina ka kërkuar nga Pakistani dhe Irani që të përmbahen.
 
FITORE DEMOLLI