Maqedoni

Gostivar, Mexhiti vizitoi spitalin “Ferid Muradi”

17.01.2024 17:41

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, gjatë vizitës së sotme në spitalin e përgjithshëm...

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, gjatë vizitës së sotme në spitalin e përgjithshëm “Ferid Muradi” në Gostivar, promovoi dy aparaturat e reja mjekësore, vlera e të cilave arrin mbi 18 milionë denarë.
 
Institucioni zgjeroi gamën e shërbimeve shëndetësore pasi së fundmi është vënë në funksion laparoskopi për operacionet urologjike, me të cilin janë kryer ndërhyrjet e para të këtij lloji, si dhe aparati i lëvizshëm digjital me rreze X. 
 
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, theksoi se me pajisjet e reja spitali ka shtuar numrin e shërbimeve shëndetësore që më herët janë referuar në klinikat e Shkupit. 
 
“Pajisjet janë blerë me mjete nga Ministria e Shëndetësisë. Laparoskopi kap vlerën e10,5 milionë denarë, ndërsa rëntgeni është 7,7 milionë denarë.”, - deklaroi  ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. 
 
Ademi, theksoi se metodat e reja mundësojnë kryerjen e procedurave kirurgjikale, të cilat mundësojnë lehtësimin e pacientëve. 
 
“Kemi bërë disa ndërhyrje. Më e rëndësishmja është se për herë të parë në Gostivar kemi filluar me intervenime laserike për thyerjen e gurëve  litotripsi në rrugët urinare. Janë realizuar me sukses 12 ndërhyrje të tilla.”, tha drejtori, Ademi. 
 
Gjatë vizitës së tij në spital, ministri Mexhiti vizitoi edhe repartin e neurologjisë, i cili është në fazën e rinovimit të plotë. 
 
LULZIM HAZIRI