Botë

Luftime të ashpra në Gaza, ushtria izraelite ka vrarë 60 luftëtarë palestinezë

18.01.2024 13:53

Rreth 60 luftëtarë palestinezë të vrarë në Rripin e Gazës...

Rreth 60 luftëtarë palestinezë të vrarë në Rripin e Gazës, ka njoftuar vetë ushtria e Izraelit në një deklaratë në lidhje me operacionet e 24 orëve të fundit. Bëhet e ditur se rreth 40 luftëtarë u vranë në zonën jugore të Kan Junisit, ndërsa të tjerët në Rripin verior të Gazës.
 
“Tre divizione po veprojnë në Gaza. Njëri po lufton në pjesën veriore dhe po kryen bastisje. E dyta pushtoi korridorin midis Gazës Veriore dhe Jugore. Divizioni i tretë, me gamën më të gjerë të forcave, është në Kan Junis.”, - deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari.
 
Pakistani kreu sulme hakmarrëse në Iran, bota ka frikë nga përshkallëzimi i konfliktit
 
Ndërkohë, po thellohet kriza në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Detit të Kuq. Pakistani sulmoi objektivat në Iranin juglindor pranë Gjirit të Omanit, dy ditë pasi Irani bombardoi bazat e militantëve të lidhur me Izraelin në tokën pakistaneze.
 
"Ky veprim është një manifestim i vendosmërisë së Pakistanit për të mbrojtur dhe ruajtur sigurinë e tij kombëtare kundër të gjitha kërcënimeve.", - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Mumtaz Zahra Balok.
 
Bota po përballet me një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit ushtarak që përhapet në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Kina bën thirrje për maturi.
 
“Shpresojmë që Pakistani dhe Irani të përmbahen, duke shmangur zgjerimin e përplasjeve. Ne jemi të gatshëm të luajmë një rol konstruktiv në qetësimin e situatës.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning.
 
Tensioni po rritet edhe në Detin e Kuq. Pas sulmeve të reja ndaj lëvizjes pro-iraniane Huthi, Pentagoni planifikon me partnerët e tij në rajon të vazhdojë të parandalojë përshkallëzimin e konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.
 
“Goditëm atë që donim të godisnim, me efekte të mira. Qëllimi ishte të çaktivizonin Huthin. Ne prisnim që pas veprimit tonë, do të kishte hakmarrje.”, - theksoi zëdhënësi i Pentagonit, Pat Rajder. 
 
Përndryshe, ilaçet mbërritën në Gaza nga Franca dhe Katari. Nëpërmjet ndërmjetësimit, Hamasi dhe Izraeli ranë dakord të dërgojnë pajisje mjekësore për pengjet izraelite në këmbim të ndihmës humanitare për popullsinë palestineze.
 
BELINDA KOKA ADEMI