Botë

Stano: Beogradi ta lejojë vizitën e Sveçlës në luginë, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, nënshkrime për shkarkimin e kryetarëve

18.01.2024 14:15

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Beogradit...

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Beogradit që të mundësojnë vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Serbi, përkatësisht në Luginën e Preshevës. Në një reagim me shkrim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka porositur se vizita e ministrit Sveçla, ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut për vizitat zyrtare, por ajo nuk u lejua.
 
Në kuadër të dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia tashmë kanë marrëveshje për zhvillimin e vizitave zyrtare në shtetet respektive. Zëdhënësi Stano ka apeluar tek palët që të zbatojnë në plotësi dhe mënyrë të pakushtëzuar të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes. 
 
“Të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme për të lehtësuar diskutimet për të gjetur zgjidhje.”, porositë zëdhënësi, Stano. 
 
Ndërkohë ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i kënaqur që serbët e Kosovës po shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të siguruar nga korniza ligjore e Kosovës, në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme, për peticionet për tërheqje të kryetarëve të komunave në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq.
 
Szunyog, në një postim në platformën X, u ka bërë thirrje Qeverisë dhe autoriteteve lokale “që të sigurojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe të lejojnë grupet e qytetarëve të iniciojnë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në Zubin Potok dhe në Zveçan.”. 
 
“Mbetet vendimtare mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka shkruar ambasadori i BE-së. 
 
Aktualisht në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq po zhvillohet mbledhja e nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e kryetarëve të të dy komunave. Afati i fundit për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit, Erden Atiq, është 22 janari. 
 
GYLTENE SINANI