Maqedoni

Spitali i Kërçovës dhe i Shtipit, Mexhiti: Shumë shpejt me hapësira të reja

18.01.2024 14:37

Pas shumë viteve pritje, më në fund duket se spitali i Kërçovës dhe i Shtipit...

Pas shumë viteve pritje, më në fund duket se spitali i Kërçovës dhe i Shtipit, do të kenë hapësira të reja shtesë për trajtimin e pacientëve, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, duke njoftuar se i ka ndërprerë të gjitha kontratat me kompanitë që deri tani i kanë prolonguar punimet në spitalet e këtyre dy qyteteve.
 
“Për një kohë shumë të shkurtër shpallet tenderi për zgjerimin e objektit dhe spitali këtu në Shtip do të përfundojë njëherë e përgjithmonë. Kërçova gjithashtu 33 vite ka probleme, edhe atje e ndërpreva kontratën me kompanitë e mëparshme edhe atje në garanci bankare do të rrjedhin të gjitha procedurat, ku do ta zgjerojmë spitalin sa më shpejt që të jetë e mundur.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Zvarritja e punimeve në spitale, Mexhiti: Do të përballen me ligjin
 
Ministri Mexhiti tha se jo vetëm që ka ndërprerë kontratat me kompanitë, por ka ngritur edhe padi penale për to, ndërsa kompanitë që do të fitojnë tenderin në të ardhmen, tha se janë të obliguara t'i kryejnë punimet në kohë.
 
“Ai që do të vonohet gjatë punimeve do ta paguajë shumë shtrenjtë. Këtu përpara jush, njoftoj se kam ngritur procedurë penale me Prokurorinë e shtetit dhe ajo kompani që ka marr tenderin dhe ka zvarritur punën e ndërtimeve, do të duhet të paraqitet në gjykatë me organet tona, pra, me Prokurorinë e shtetit, që natyrisht si organ që i mbron të gjitha institucionet e shtetit dhe për këtë do të kërkojmë dëmshpërblim - për atë se pse nuk është ndërtuar spitali. Nuk e lëmë me kaq, por çështjen do ta çojmë deri në fund.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Këto komente, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i bëri gjatë promovimit të pajisjeve të reja në Spitalin e Shtipit, të cilat kapin vlerën e 11 milionë denarëve. Pajisjet e reja do të përdoren nga specialistët e repartit kirurgjik dhe neurokirurgjik, ortopedik dhe urologjik për procedura minimale invasive.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU