Maqedoni

Modernizimi i bujqësisë, do të ndërtohen katër sisteme për ujitje

18.01.2024 15:20

Në vend do të ndërtohen katër sisteme të reja për ujitjen e tokës bujqësore...

Për këtë rast, Qeveria përzgjodhi kompaninë ndërkombëtare konsulente gjermane CES, e cila do t’i ndërtojë sistemet e ujitjes në Straishte, Lisiçe, Konsko dhe Pepelishte, të cilat do të sigurojnë sistem ujitjeje për 13 mijë hektarë tokë bujqësore.
 
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, thanë se ky investim kap vlerën mbi 100 milion eurove dhe se ka për qëllim të modernizojë bujqësinë sipas standardeve evropiane.
 
“Katër sistemet janë pjesë e programit për ujitje në Maqedoninë e Veriut dhe shtrihen përgjatë pellgut të lumit Vardar, në vazhdimësi po punohet në modernizimin e sistemeve të ujitjes, ndërtimin e sistemeve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese.", - deklaroi ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski. 
 
“Aktivitetet parashikojnë ndërtimin, rehabilitimin dhe zgjerimin e katër sistemeve të ujitjes dhe ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në Lisiçe dhe Konsko. Këto sisteme do të rrisin hidropotencialin dhe vëllimin e prodhimit bujqësor, por do të zvogëlojnë edhe humbjet ekonomike.", - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Pas mbarimit të studimeve të fizibilitetit dhe vlerësimit për ndikimin mjedisor të sistemeve, kompania CES do të ketë për detyrë të përgatisë dokumentacionin e tërësishëm të projekteve kryesore për ndërtimin e këtyre katër sistemeve për ujitje, të shpallë procedurën  për ndërtim, kontroll dhe zbatim të të njëjtave.
 
“Ne si CES kemi përvojë të madhe në zbatimin e projekteve të ngjashme dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë e të diskutojmë dhe të tejkalojmë sfidat që do të hasim gjatë realizimit të këtij projekti.”, - u shpreh përfaqësuesi i CES, Garl Filip Hugin.
 
70 për qind të mjeteve janë mbështetje nga banka gjermane KFV, 80 milionë euro hua, 2,8 milionë euro grant për të mbështetur fermerët dhe 30 për qind janë siguruar nga buxheti i shtetit. 
 
REXHEP QAMILI