Formimi i partive të reja, Arsovska me parti të re, mohon koalicionin me LSDM

18.01.2024 16:35

Tre muaj para zgjedhjeve të dyfishta parlamentare dhe presidenciale....

Tre muaj para zgjedhjeve të dyfishta parlamentare dhe presidenciale, skenës politike në vend po i shtohen parti të reja. Te blloku politik maqedonas kemi Alternativën e Re, në krye të së cilës qëndron kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.

Për zyrtaren e lartë të LSDM-së, Sllavjana Petrovska, formimi i partive është tipar i pluralizmit në Maqedoni.

E pyetur se pse në konventën e Alternativës së Re ishte sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçeviq, ajo tha se është kulturë politike dhe kjo nuk do të thotë se do të ketë koalicion apo bashkëpunim. LSDM nuk frikësohet se partitë e reja mund t’u zvogëlojnë trupin votues, thotë Petrovska.

“Çdo themelim i ndonjë partie politike themeli i së cilës është i bazuar në vlerat demokratike, atë që e ndajmë të gjithë së bashku është për t'u mirëpritur, e kam fjalën për të gjitha partitë politike. Formimi i partive të reja politike është në fakt një tipar i pluralizmit. Për sa i përket frikës së LSDM-së nga humbja e votave, mendoj se në periudhën e ardhshme kemi hapësirë të mjaftueshme për të shpallur dhe rikujtuar se çfarë është bërë në periudhën e kaluar.”, - theksoi Slavjana Petrovska nga LSDM-ja. 

Ndërkohë kryetarja e Alternativës së Re, Danella Arsovska, bëri të ditur se do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, por nuk tregoi nëse do të shkojë në koalicion me LSDM-në.

“Do të marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare. Kemi shumë nga qytetarët tanë që na mbështesin e që e dinë se për cilët persona bëhet fjalë dhe e dinë se kush mund të jep shumë për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut. Partia do t’i shqyrtojë hapat e ardhshëm, do të mendoj se çka është ajo që duam të bëjmë. I kemi postulatet tona dhe normalisht nuk ka asnjë bashkëpunim me askënd nëse këto postulate nuk i pranojnë.”, - u shpreh kryetarja e Alternativës së Re, Danella Arsovska.

Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, me akuza të drejtpërdrejta ndaj kryetares së Alternativës së Re, Danela Arsovska.

“Arsovska mund të bëhet lider i një partie vetëm përmes mashtrimit dhe prania e Mile Zeçeviqit tregon se kush është krijuesi origjinal i asaj partie.”, -thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.

Sipas VMRO-DPMNE-së, koalicioni sekret LSD-Arsovska u bë publik.

Edhe partitë shqiptare po bëjnë përgatitjet e tyre. BDI-ja ende nuk ka marrë vendim nëse do të ketë kandidatin e saj për president apo do të mbështesë kandidatin e LSDM-së. Ndërsa është në koordinim e sipër edhe sa i përket pjesëmarrjes në koalicion në zgjedhjet parlamentare.

ASh-ja, e ndodhur mes ofertës për koalicion me BDI-në, bllokun opozitar apo opsionin për të garuar e vetme.

Lidhja  Evropiane për Ndryshim njoftoi se do të ketë kandidatin e saj presidencial. Por, edhe blloku opozitar shqiptar ende nuk ka precizuar se me cilat kandidatë  për deputet dhe president do t’i futet garës zgjedhore. (Sanije Duraku, TVM2)