M-NAV zgjedh menaxhmentin e ri
Dy ditë të plota ka zgjatur seanca e Bordit Mbikëqyrës në Kompaninë M-NAV...

Dy ditë të plota ka zgjatur seanca e Bordit Mbikëqyrës në Kompaninë M-NAV, në të cilën duhej të merren vendime për ndryshime në menaxhment dhe pikërisht në ditën e dytë të kësaj seance, M-NAV ka kompletuar udhëheqësinë e saj të re. Hekuran Hasani dhe Milan Koracin ulen në pozitat e drejtorëve në vend të të dy të shkarkuarve më parë, kryetarin e Bordit Drejtues, Fahrudin Hamidi dhe drejtorin ekzekutiv të sektorit, Ljube Stamenkovski, ndërsa në pozicionin e tij të mëhershëm mbetet Hasim Dehari, njoftojnë burime brenda kompanisë.
Shkarkimi i Hamidit dhe Stamenkovskit ishte një nga kushtet e Sindikatës për të mos dalë në grevë.
Ndërkohë, opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, pyet se si ka mundësi që e njëjta kompani sigurimi ka fituar tender të ri për të qenë akoma kompania për ta siguruar objektin e M-NAV-it.
“Kjo kompani e sigurimeve ka fituar një kontratë të re vjetore për ta siguruar objektin. Në vend që menjëherë pas incidentit, e njëjta të largohet, shteti ka një kontratë të re me të njëjtën kompani. "2SS" nga Kërçova është kompania e parë e sigurimit që ka marrë tender për M-NAV dhe vetëm pak ditë para banditizmit në kullën e kontrollit.”, - deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
Edhe Agjencia e Aviacionit Civil ka pranuar rekomandim nga Qeveria për të vazhduar me aktivitetet e nisura si rezultat i inspektimit të jashtëzakonshëm të kryer, për të përcaktuar kushtet rreth sigurisë së trafikut ajror, si dhe inspektime ka kryer edhe Administrata e Policisë Financiare.
Për incidentin e 4 janarit në M-NAV, Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka hapur procedurë hetimore kundër tetë personave. (Fitim Kryeziu, TVM2)
