Maqedoni
Votimi i Qeverisë Teknike, Kovaçevski: VMRO pa ministra, nëse nuk japin mbështetje
19.01.2024 14:18
Kontradiktat për votimin e Qeverisë Teknike “mollë sherri” midis partive, pasi VMRO-DPMNE...

Kontradiktat për votimin e Qeverisë Teknike “mollë sherri” midis partive, pasi VMRO-DPMNE, ka paralajmëruar abstenim gjatë votimit të Qeverisë teknike meqë kundërshtojnë faktin që Talat Xhaferi të vihet në krye të ekzekutivit.
Në rast se VMRO-ja nuk voton Qeverinë teknike, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kushtëzuar partinë e Mickoskit se nuk do t’ia japin vendet ministrore që i takojnë në këtë qeveri 100-ditëshe. Sipas kryeministrit, nuk është logjike, por dhe jashtë çdo praktike botërore që një parti t’i bashkëngjitet Qeverisë, por mos ta përkrahë të njëjtën.
“Kur një parti participon në Qeveri, atëherë duhet që ta mbështesë këtë Qeveri. Nëse nuk e votojnë Qeverinë Teknike, atëherë konsideroj se këto vende duhet të mbesin të zbrazëta. Mandatari i ri të propozojë qeveri, ku vendet ministrore që i takojnë VMRO-së të mbeten të zbrazëta. Në momentin kur VMRO-DPMNE do të mbështesë Qeverinë, mandatari mund të propozojë që të votohen ministrat e tyre.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Më 28 janar seanca e votimit
Mësohet se edhe BDI s’do mbështesë propozimet për ministra të VMRO-së, nëse ata nuk përkrahin Qeverinë teknike, por edhe Talat Xhaferin për kryeministër. Javën që vjen, kryeparlamentari Talat Xhaferi, do të duhet të japë dorëheqje, ndërkaq në vendin e tij të zgjidhet Jovan Mitreski nga LSDM-ja. Qeveria Teknike do të duhet të zgjidhet më 28 janar, 100 ditë para zgjedhjeve të 8 majit.
MERAL ISMAILI
