Botë

NATO: Ukraina në fushëbetejë ka efektivitet ushtarak

19.01.2024 14:36

Pas takimit dyditorë të Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer...

Pas takimit dyditorë të Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, ka deklaruar se Ukraina po shënon rezultate të rëndësishme, duke e vlerësuar efektivitetin e veprimeve ushtarake, ndërsa sipas tij, veprimet e Rusisë kanë treguar mungesë efektiviteti.
 
"Vlerësimi ynë është se po zhvillohen luftime intensive. Derisa sulmet më të fundit të Rusisë janë shkatërruese, ato nuk janë ushtarakisht efektive. Në të njëjtën kohë, ne shohim suksese të konsiderueshme ushtarake nga pala ukrainase. Ndërsa bota mund të ketë qenë e tepërt optimiste në 2023, është e rëndësishme që në vitin 2024 të mos bëhemi tepër pesimistë.”, - deklaroi kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Rob Bauer.
 
Argjentina refuzon të bëhet pjesë e BRICS, Peskov: Shpresojmë ta rishqyrtojnë vendimin
 
Ndërkohë Kremlini shpreh keqardhje për vendimin e Argjentinës që mos të jetë pjesë e bllokut BRICS, vendeve me ekonomi të mëdha në rritje, Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut. Rusia shpreson se Buenos Aires do ta rishqyrtonte vendimin.
 
“Argjentinasit zgjodhën lidershipin e tyre dhe drejtuesit e konsideruan të papërshtatshme që tani të marrin pjesë në këtë format. Por radha e vendeve që duan të lidhen me BRICS është mjaft e gjatë. Kjo është kënaqësi dhe do të thotë se shumë vende, përkundrazi, e konsiderojnë trajektoren drejt anëtarësimit në BRICS si interes të tyre kombëtar.”, - theksoi sekretari për shtyp i presidentit Vladimir Putin, Dmitri Peskov.
 
Kuleba, thirrje Perëndimit: Të frenohet prodhimi i armëve ruse
 
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitro Kuleba, i ka bërë thirrje Perëndimit të marrë masa për të kufizuar prodhimin e armëve nga Rusia. Sipas tij, 95% e komponentëve kritikë të përdorur në sistemet e armëve ruse prodhohen nga industritë perëndimore.
 
“Perëndimi duhet të kujdeset seriozisht për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të prodhuar armë.”, tha Dmitro Kuleba.
 
LEUNORA KALIQI