Takimi Kovaçevski-Zaev-Ahmeti, Kovaçevski: Kemi fol për zgjedhjet dhe BE-në
Zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale...

Zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale kanë intensifikuar takimet e krerëve të partive politike. Së fundmi një takim të tillë me kohëzgjatje katërorëshe kanë realizuar kryeministri, Dimitar Kovaçevski; lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe ish-kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ku si temë diskutimi ka qenë procesi zgjedhor dhe anëtarësimi i vendit në BE.
I pyetur se ky takim a ka afruar apo larguar mundësinë e LSDM-së që të bëjë koalicion parazgjedhor me BDI-në, kryeministri tha se po bëhen analiza në kuadër të koalicionit politik që ka LSDM-ja me partnerët e saj tradicionalë.
“Diskutuam se si vendi duhet të përparojë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kemi diskutuar se si duhet të duken ecuria e partive politike në zgjedhje, secila nga prizmi i përvojës që ka pasur. Janë duke u bërë analiza si pjesë e koalicionit politik, që ne si LSDM e kemi me partnerët tanë tradicionalë. Besoj se vendi ka nevojë për një koalicion evropian që do të sigurojë një të ardhme të sigurt evropiane, pa asnjë pasiguri dhe izolim, pa ekuilibër politik, siç e pamë gjatë 11 viteve të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE për takimin: Janë shkëmbyer përvoja të këqija
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Micevski, ka bërë të ditur se ka mbaruar procesi i analizave dhe kalkulimeve rreth kandidatëve për deputet dhe president.
Nga partia e Mickoskit, emrin e kandidatit për president do ta publikojnë gjatë konventës me dy mars. Ndërsa kanë komentuar edhe takimin e Kovaçevskit, Zaevit dhe Ahmetit.
“Nuk kemi dyshim se janë shkëmbyer përvoja nga kazinotë, lotaritë, blerja e “Soravias”, praktikat evropiane të Kacarskës në drejtësi, të Filipçes në shëndetësi, në energji, spital modular, të gjitha në funksion të integrimit evropian.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
LSDM: DPMNE e frikësuar, ka ngelur pa partnerë koalicioni
Me kundër-reagim edhe socialdemokratët.
“Është bërë e ditur publikisht se çfarë është biseduar në takimin e Kovaçevskit, Zaevit dhe Ahmetit. DPMNE-ja mbetet e vetme në agjendën proruse, kundër BE-së dhe pa partnerë koalicioni. Vuajtjet e Mickoskit janë të mëdha, pasi ai përballet me humbje në zgjedhje.”.
ASh-ja vazhdon konsultimin e strukturave partiake, por edhe me diplomat ndërkombëtare, si dhe me autoritetet ne Prishtinë dhe Tiranë për mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Pas konsultimeve me kryeministrin Albin Kurti, kreu i ASh-së, Taravari, ka qëndruar në Tiranë për konsultim me autoritetet shqiptare.
Nga ASh-ja, megjithatë paralajmërojnë se vendimin rreth mënyrës së pjesëmarrjes në zgjedhje do ta sjellin pas formimit të Qeverisë Teknike.
Ndërkohë, liderët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim, Mexhiti, Kasami dhe Gashi, vazhdojnë takimet e tyre me zyrtarë të lartë të ShBA-së.
LEN-i informon se fokusi i takimeve me zyrtarë të lartë të Kongresit Amerikan vazhdon të jetë përkrahja e fuqishme që Amerika duhet t'ia japë Maqedonisë së Veriut për arritjen e qëllimeve të përbashkëta strategjike, siç është anëtarësimi i plotë në strukturat Euroatlantike.
Edhe opozita shqiptare bën kalkulime si do të shkojnë në zgjedhje. Për momentin e sigurt është që Lidhja Evropiane për Ndryshim do të ketë kandidatin e saj presidencial. (Sanije Duraku, TVM2)
