Ndërrimi i dokumenteve personale, vazhdojnë turmat në sportelet e MPB-së
Për të mundësuar që sa më shumë qytetarë...

Për të mundësuar që sa më shumë qytetarë të ndërrojnë dokumentet e tyre personale me emrin e ri kushtetues të vendit deri më datën 12 shkurt, shërbimet e MPB-së po punojnë edhe në ditë feste, por siç po mund të shihni këtu në punktin e MPB-së në Televizionin e Maqedonisë vërehen radhë të gjata të qytetarëve, të cilët presin edhe me orë të tëra për të marrë dokumentet e reja personale.
Qytetarët shprehen të pakënaqur për pritjet e gjata. Mes tyre ka edhe të sëmurë dhe të shtyrë në moshë që nuk munden të qëndrojnë në këmbë.
“Shumë ngadalë, nuk jemi të kënaqur aspak, ka lloj-lloj forme që mund të organizohet për të pasur diçka më të suksesshme, që populli të jenë më rahat. Është një periudhë e gjatë që njerëzit nuk janë të kënaqur.”, - tha një qytetar.
“Dy orë presim këtu. Shikoni si është turma, ja shikoni, plakat janë ulur në karrige, nuk munden më të qëndrojnë në këmbë, nuk kanë më fuqi të presin. Kjo do të thotë turp për shtetin!”, - tha një qytetar tjetër.
“Është hera e tretë që vij. Dy herë kam kthyer, sepse ka pasur turma. Njëherë nuk më ishte bërë gati pasaporta, tash ta provojë për herë të tretë. Procedura shkon ngadalë.”, - u shpreh një qytetar.
Përndryshe, ditë më parë MPB-ja njoftoi se letërnjoftimet me emrin Republika e Maqedonisë do të jenë të vlefshme edhe pas 12 shkurtit vetëm për përdorim të brendshëm. Kjo nënkupton se qytetarët nuk do të mund të kalojnë kufirin me kartat e identitetit, të cilat përmbajnë emrin e vjetër të shtetit.
Pasaportat dhe lejet e vozitjes me emrin e vjetër të shtetit nuk do të vlejnë pas 12 shkurtit.
Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, gjatë dy vite e gjysmë janë zëvendësuar mbi një milion karta identiteti, 1,169,463 pasaporta dhe 529,799 patenta shoferi.
Nëse merret parasysh se zëvendësimi i letërnjoftimit me emrin e ri të shtetit kushton 310 denarë, sipas procedurës së rregullt llogaritet se vetëm nga ndërrimi i dokumenteve për përdorim të brendshëm, shteti ka arkëtuar mbi pesë milionë euro në buxhet. (Ersan Pajaziti, TVM2)
