Këshilli Gjyqësor, Xhelili: Ngjarjet e fundit, shpresë për Gjyqësorin

19.01.2024 16:51

Zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor...

Zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor, si kthimi i Vesna Damevës si kryetare, ndërprerja e iniciativës për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, si dhe vendimi për të deleguar përkohësisht gjykatësen, Aleksandra Ristevska, në Gjykatën Penale për të marrë pjesë në gjykimin e rastit të aksidentit të autobusit “Llaskarcë”, japin një shkëndijë shprese për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet gjyqësore.

Përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor që njëherë devalvoi sistemin gjyqësor, vështirë që mund ta vazhdojë kthimin e funksionimit normal. Xhelili vlerëson se përgjegjësi për kaosin e shkaktuar në Këshillin Gjyqësor nuk do të ketë.

“Janë vendime të duhura të balancuara dhe të drejta që kthejnë pak shpresë se megjithatë ka filluar të reflektojë Këshilli Gjyqësor dhe anëtarët e saj. Por, nuk jam i mendimit se do të vazhdojnë të kthehen në normalitet dhe në ushtrimin e kompetencave të tyre në bazë të normale ligjore, ashtu edhe siç duhet për shkak se këto janë të njëjtit anëtarë të Këshillit Gjyqësor, e njëjta përbërje, që në fakt e devalvoi punën e Këshillit Gjyqësor, por me një sërë plasaritjesh, incidentesh, përçarjes mes anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, me konfrontime të ashpra, që tash më e karakterizuan vitin që lamë pas. Kam përshtypjen se përgjegjësi nuk do të mbajë askush prej tyre.”, - deklaroi eksperti juridik, Fadil Xhelili.

Xhelili: Kjo përbërje vështirë ta kthejë normalitetin

Xhelili vlerëson se përbërja e re qeveritare do të ketë detyrë të ofrojë zgjidhje adekuate, sa i përket funksionimit dhe përbërjes së Këshillit Gjyqësor.

“Mendoj se Qeveria e re që do të pasojë pas zgjedhjeve që do të mbahen në maj të këtij viti, do të duhet me insistimin, me angazhimin dhe me kyçjen e faktorit ndërkombëtar, të ofrojë zgjidhje tjetër në formë që ndonjë përbërje e re të Këshillit Gjyqësor me reforma në Ligjet që parashohin formimin, kompetencat, përgjegjësitë e çdo anëtari të Këshillit Gjyqësor, të mund të fillojë diçka, të normalizohet gjendja në këtë organ shumë të rëndësishëm të drejtësisë.”, - theksoi eksperti juridik, Fadil Xhelili.

Vetëm reformat rrënjësore në sistemin gjyqësor mund të kthejnë besimin e humbur të qytetarëve në sistemin gjyqësor, ku do të sundojë ligji njëjtë për të gjithë. (Florije Kamberi, TVM2)