Botë
Ukraina kërkon mbështetje ushtarake, Franca ofron ndihmë urgjente
20.01.2024 14:20
Në muajin shkurt bëhen dy vite të luftës në Ukrainë....

Në muajin shkurt bëhen dy vite të luftës në Ukrainë. Në zonat e luftës nuk ka ndryshime, vazhdojnë granatimet, raketat, betejat me dron. Në Kiev, qytetarët në mbrojtjen territoriale po përgatiten për një sulm të mundshëm. Olena humbi kumbarin në luftë, vëllai i saj po lufton afër Bakhmutit, babai i saj është rekrutuar.
“Të gjithë ata që janë këtu e dinë pse jemi këtu. Është e nevojshme për ne dhe për vendin tonë. Sa më shumë të jemi, aq më shpejt do të përfundojë lufta. Humbjet janë të mëdha, por ne do të fitojmë.”, tha Olena Brodovenko, banore e Kievit
“Ne jemi në luftë dhe kushdo mund të bashkohet me forcat e armatosura. Nuk mendoj se lufta do të përfundojë shpejt, të gjithë duhet të jenë gati. Me këtë do të kenë më shumë besim se do të qëndrojnë gjallë.”, tha Bogdani, instruktor ushtarak
Që nga fillimi i luftës, në stërvitje kanë kaluar 20 mijë rezervistë. Por Ukraina ka nevojë urgjente për pajisje ushtarake, kryesisht municion. Presidenti amerikan Bajden paralajmëroi Kongresin se nëse Ukraina humbë, Polonia dhe Hungaria do të pasojnë. Homologu i tij francez, Makron, është dakord me qëndrimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë, por një fitore ruse do të nënkuptonte fundin e sigurisë evropiane. Nga kufijtë tanë lindorë, nga Kaukazi në Azinë Qendrore, në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kjo është arsyeja pse industria franceze e mbrojtjes do të prodhojë më shumë, për të ndihmuar ukrainasit.”, tha Emmanuel Macron, kryetar i Francës.
Për shkak të luftës, Franca do të investojë 200 milionë euro në anije të reja të pajisura me drone dhe 1.5 miliardë euro më shumë në prodhimin e municioneve.
Dhe ndërsa Perëndimi po ndryshon mendjen për mbështetjen ushtarake të Ukrainës, numri i refugjatëve nga lufta po rritet në lagje. Në Moldavi, komisioneri i Kombeve të Bashkuara kërkoi më shumë ndihmë nga komuniteti botëror.
“Moldavia është një vend i vogël dhe i varfër, në të cilin ka 120 mijë refugjatë. Ata duhet të marrin mbrojtje, si të tjerët që ikën nga Ukraina”, tha Filippo Grandi, komisioner i OKB–së për refugjatë.
Nga tmerri i luftës dyvjeçare, në botë janë regjistruar tetë deri në dhjetë milionë refugjatë ukrainas.
FLORIJE BELULI KAMBERI
