Botë

Protestat masive në Gjermani kundër të djathtës ekstreme

21.01.2024 13:52

Mijëra gjermanë marshuan nëpër rrugë në disa qytete në të gjithë vendin kundër ultra të djathtës...

Mijëra gjermanë marshuan nëpër rrugë në disa qytete në të gjithë vendin kundër ultra të djathtës "Alternativa për Gjermaninë". Revolta vjen pas lajmeve se në mbledhje partiake u diskutua për deportimin masiv të miliona emigrantëve, përfshirë ata me nënshtetësi gjermane. Duke mbajtur pankarta ku thuhej "urrejtja nuk është opinion" dhe "kurrë më 1933", gjermanët e shqetësuar kanë protestuar masivisht kundër idesë së ekstremit të djathtë të dëbimit prej disa ditësh.
 
“Jam shumë i mërzitur që jemi kthyer në një situatë ku është e nevojshme të protestojmë kundër një gjëje të tillë.”, tha një protestues.
 
“Prisja që nuk do të isha vetëm, por jo se do të kishte kaq shumë njerëz. Është mirë të dish që jemi shumica,”, tha Meron Mendel, kreu i fondacionit përkujtimor të Anne Frank në Frankfurt.
 
Në Hamburg, Nuremberg, Shtutgart, por edhe Berlin, Mynih dhe Këln, tubimet e vogla papritur u shndërruan në masive, me shumë më tepër pjesëmarrës nga sa prisnin organizatorët. Mbështetje për protestat erdhi edhe nga kancelari Scholz. Ekstremistët e krahut të djathtë duan të sulmojnë dhe shkatërrojnë demokracinë tonë, vuri në dukje Scholz në video-mesazh.
 
“E them qartë dhe hapur, ekstremistët e djathtë sulmojnë demokracinë, duan të shkatërrojnë kohezionin tonë. Në një konferencë sekrete, këta ekstremistë po diskutojnë se si të dëbojnë miliona njerëz nga vendi ynë. Familje që kanë jetuar këtu për dekada. Fqinjët tanë, kolegët, shokët e klasës, burrat dhe gratë që punojnë në spitalet dhe shtëpitë tona të pleqve. Kjo ide të jep të dridhura.”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
 
Zemërimi i përhapur mbi raportet nga takimi i partisë nxiti shqyrtimin e ndalimit të partisë Alternativa për Gjermaninë. Një degë e partive të gjelbra votoi një konventë për të parandaluar ngritjen e një qeverie të re fashiste. Sondazhet tregojnë se Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë është aktualisht në vendin e dytë me 20 për qind mbështetje, pas bllokut kryesor të qendrës së djathtë, por përpara koalicionit qeveritar të qendrës së majtë të Scholz.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI