Maqedoni

Strugë, numri i natalitetit në rënie

21.01.2024 15:04

Numri i të porsalindurve në repartin e gjinekologjisë në spitalin e Strugës çdo vit e më shumë po zvogëlohet.....

Numri i të porsalindurve në repartin e gjinekologjisë në spitalin e Strugës çdo vit e më shumë po zvogëlohet. Gjatë vitit 2023 në repart lindën 420 fëmijë, 40 më pak se vitin 2022. Ndërsa këtë vit deri më tani kanë lindur 25 fëmijë. Megjithatë edhe përkundër uljes së natalitetit, në repart ka ngarkesë të shtuar sepse pothuajse 90% e nënave nga Dibra lindin në Strugë, ndërsa vijnë edhe nga qytete tjera.
 
“Lindjet në krahasim me vitin e kaluar numri sa vin edhe zvogëlohet, kjo vjen edhe si shkak e migrimit të rinisë që është shum e më shumë kët kohën e fundit, është zvogëluar numri i lindjeve me 20% më pak se vitin e kaluar. Këtë vit deri tani kemi pas 25 lindje, të gjitha kanë qenë me një bebe nuk kemi pas binjak apo trinjak.”, tha Majlinda Sheji, gjinekologe.
 
Kapacitetet e repartit të gjinekologjisë janë të mjaftueshme për numrin e lindjeve. Por nevojiten kushte më të mira sepse spitali është i vjetër.
 
“Si gjith spitali që është i vjetër dhe nuk ka kushte të mjaftueshme por higjiena pastërtia dhe rregulli i repartit është në maksimum. Puna teknike nuk varet nga ne e dimë si është nuk ka kushte të mjaftueshme. Reparti jonë përbëhet nga 7 dhoma, ka, mjaftueshëm për numrin e lindjeve deri tani.”, tha Sheji.
 
Numri i natalitetit ka rënë dukshëm në 15 vitet e fundit. Para më shumë se një decade në Strugë kishte mbi 700 të porsalindur ndërsa vitet e fundit ky numër është përgjysmuar. Rënia e natalitetit vjen si pasojë e migrimit të të rinjve që viteve të fundit është bërë një shqetësim i madh.
 
ILMIE ZHAKU