Botë

Lufta në Gaza, OKB thirrje për zgjidhje me dy shtete

21.01.2024 17:55

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë samitit në Kampala...

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë samitit në Kampala, kushtuar Lindjes së Mesme, vlerësoi se paqja është e mundur vetëm me ekzistencën e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës. Poashtu ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në betejën në mes të Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. 
 
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar ndezjen e konflikteve në të gjithë rajonin dhe kjo fillon me një armëpushim humanitar të menjëhershëm për të lehtësuar vuajtjet në Gaza, për të lejuar ndihmën humanitare për të arritur këdo në nevojë dhe për të lehtësuar lirimin e pengjeve, të cilat duhet të jenë të menjëhershme dhe të pakushtëzuara. Refuzimi i përsëritur dje për të pranuar zgjidhjet me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët është krejtësisht i papranueshëm. Mohimi i së drejtës për shtet formim për popullin palestinez do të zgjaste pafundësisht një konflikt që është bërë një kërcënim i madh për paqen dhe sigurinë globale, do të përkeqësonte polarizimin dhe do të nxiste ekstremistët kudo.”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
 
Ideja për një shtet të pavaruar palestinez është e paparanueshme për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. Ai vazhdon të insistoj se Izraeli duhet të mbajë kontrollin e sigurisë mbi të gjitha territoret palestineze. Ndërsa sulmet vazhdojnë në konfliktin Izrael-Hamas, banorët në Gaza luftojnë për ushqim, furnizime, higjienë e ndihma të tjera humanitare. Sulmi ajror, tokësor dhe detar i Izraelit në Gaza ka vrarë afro 25,000 palestinezë, dy të tretat e të cilëve gra dhe fëmijë. 
 
SANIJE DURAKU