Maqedoni
Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, në fokus, ekonomia dhe plani për rritje
22.01.2024 11:11
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot është nikoqir...

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot është nikoqir i takimit të liderëve nga Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit për Zhvillim të miratuar nga Komisioni Evropian. Përfaqësuesit e vendeve nga Ballkani Perëndimor njoftuan për bashkëpunimin dhe reformat për të përdorur paratë e siguruara nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian.
“Qëllimi është që të bisedojmë për Planin për Rritje të Ballkanit Perëndimor që paraqet aksion konkret të Bashkimit Evropian në pjesën e rritjes së bashkëpunimit rajonal mes shteteve, por edhe kyçjen e në tregun e përbashkët evropian. Bisedimet kanë filluar mbrëmë me një darkë të përbashkët të liderëve. Do të miratojmë një deklaratë të përbashkët, e cila do të paraqes përkushtim për kryerjen e aktiviteteve që prezantojnë fillimisht reformat në shtetet tona, e dyta rritja e bashkëpunimit dhe e treta zbatimi i aktiviteteve nga Plani për Rritje, që do të sjell reforma, do të sjell dhe instrumente financiare në shumë prej 6 miliardë euro.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Dua të them se ky është me të vërtetë një takim i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të bashkuar mendimet tona më përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, si dhe administratorët amerikanë për një hap të rëndësishëm që ne mundemi dhe duhet ta marrim për t’u afruar më shumë me BE-në. Është për planin e ri të rritjes dhe integrimin në tregun e brendshëm, që deri më tani kjo ka qenë e mundur vetëm për shtetet që janë bërë pjesëtarë të Bashkimit Evropian. Pra, është një ndryshim i rëndësishëm dhe është një mundësi e mirë që nuk duhet ta humbim, prandaj është vendimtare që të arrijmë sukses në gjashtë shtetet e Ballkanit, është vendimtare që ne të vendosim popullin tonë të parin e të lëmë historinë dhe politikën në rastet e ardhshme, sepse nëse arrijmë të bëjmë gjërat e duhura deri në fund të këtij muaji, kjo definon se si do të duket shteti ynë në dekadën e ardhshme.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare. Plani i Rritjes nënkupton gjashtë miliardë euro për rajonin tonë, meqë rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e Administratës Publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve e kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor…Ky takim është shumë i rëndësishëm i cili do të mundësojë që të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian, i cili është edhe qëllimi dhe fati ynë”, - tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Besoj se mbledhja e mbrëmshme dhe kjo e sotmja është e rëndësishme për zhvillimin e rajonit. Kemi biseduar me përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së për Planin e Rritjes, vazhdojmë të flasim dhe sot. Kemi biseduar për dy çështje të rëndësishme, e para është tregu i përbashkët evropian, për pjesëmarrjen tonë në tregun evropian dhe ajo që për ne është e rëndësishme, linja e gjelbër për maunat tona të mund të kalojnë lirshëm përmes kufijve të vendeve të BE-së, që t’i ulim harxhimet e tyre operative.”, - u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Jam i nderuar që jam këtu, i kënaqur që Maqedonia e Veriut është nikoqir. ShBA-ja ka qenë gjithmonë me Maqedoninë e Veriut, jemi krenarë që jemi aleatë, që punojmë me këtë qeveri. Ne do të zhvillojmë ide praktike që do të lejojnë njerëzit që të zhvillojnë ekonominë. Ky regjion ka shumë iniciativa. Ne pajtohemi publikisht që gjashtë shtetet të punojnë së bashku që njerëzit e këtij regjioni të kenë mundësi reale dhe të mund të bëhen pjesë e unionit së shpejti. Ky është një moment i mirë që të ecim përpara.”, - deklaroi ndihmës sekretari shtetërorë për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O’Brajan.
“Është nder të jesh në Shkup sot për të marrë pjesë në takimin e liderëve në planin e rritjes, i cili është potencialisht një ndryshues i lojës për regjionin, mund të rrisë ekonominë tuaj dyfish në dekadën e ardhshme dhe është shumë motivuese të shohësh se si regjioni ka mirëpritur këtë koncept dhe është duke punuar shumë në reformat që do të ndihmojnë deri në arritjen e kësaj rritjeje. Liderët do të diskutojnë për tregun rigjenerues dhe integrimin e regjionit në tregun tonë të brendshëm, i cili është një rritje e madhe.”, - theksoi drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Gert Jan Kopman.
