Maqedoni

Tetovë, Dauti: Ka mungesë të mbi 40 mijë librave

22.01.2024 15:02

Edhe ky gjysmëvjetor i dytë shkollor në Tetovë ka filluar me mungesë të mbi 40 mijë librave...

Edhe ky gjysmëvjetor i dytë shkollor në Tetovë ka filluar me mungesë të mbi 40 mijë librave, thonë nga sektori për arsim i komunës së Tetovës. Sipas tyre, edhe pse ministria premtoi, deri më tani ata  kanë sjellë vetëm 3 mijë libra. Ata thonë se procesi edukativ arsimor po zhvillohet shumë me vështirësi, pasi me ligjin që është në fuqi ndalohet kopjimi i materialeve shkollore.
 
“I vetmi problem që vazhdon të mbetet problem është problemi i mungesës së librave, ku na mungonin mbi 40 mijë libra në shkollat fillore edhe të mesme, ku nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës disa herë u zotuan se me fillimin e vitit shkollor dhe më pas thanë se deri në fund të muajt shtator do të furnizohen me libra. Ministria e Arsimit edhe Shkencës shpërndau në shkolla vetëm dy mijë deri në tre mijë libra dhe ky numër vazhdon të jetë i madh i mungesës së librave që është një ndër elementet kryesore për zhvillimin e procesit arsimor.”, - deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim – Tetovë.
 
Mungesën e librave më së shumti e ndjejnë nxënësit e shkollave profesionale, që në shumicën e lëndëve nuk ka aspak libra. Kurse librat më të dëmtuara janë librat nga klasa e parë deri në të pestën, thonë nga Sektori për Arsim i Komunës së Tetovës.
 
“Mungesë më të madhe të librave ka në shkollat fillore, e sidomos mungesë të librave ka në shkollat profesionale ku kemi mungesë në lëndët profesionale ku edhe aspak nuk figurojnë si libër. Edhe këta libra që janë në kuadër të shkollave janë të vjetruar dhe të dëmtuar, edhe pse me ligj është që këta libra të shfrytëzohen brenda pesë viteve, mirë por është jologjike që një libër të shfrytëzohet pesë vite, sidomos nga klasa parë deri në të pesë, sepse fëmijët janë në një moshë ku vetëm shfletimi i tyre dëmton ata e jo të qëndrojë pesë vite.”, - theksoi Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim – Tetovë.
 
Nga Ministria e Arsimit thonë se po punohet që të gjitha shkollat të furnizohen me libra. 
 
VISAR SADIKI