Botë

Luftime të ashpra në Gazë, KPJ propozon plan për zgjidhje afatgjate

22.01.2024 15:24

Luftime të ashpra po vazhdojnë në Gazë...

Luftime të ashpra po vazhdojnë në Gazë. Tanket izraelite u vendosën në portat e dy spitaleve në Kan Junis, duke u ndërprerë banorëve marrjen e shërbimeve bazë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë njoftoi se vetëm në 24 orët e fundit 190 palestinezë të tjerë u vranë dhe 340 u plagosën në sulmet e Izraelit. Shumë persona ndodhen ende nën rrënojat e shkaktuara si pasojë e sulmeve. Përderisa luftimet vazhdojnë, në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, kreu i diplomacisë evropiane, Borrell, propozon një plan paqeje prej 10 pikash dhe një zgjidhje me dy shtete për t'i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez. 
 
“Ne duhet të ndalojmë së foluri për paqen, procesin e paqes dhe të fillojmë të flasim më konkretisht për procesin e zgjidhjes me dy shtete. E di që ata kanë një pikëpamje tjetër. Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u shpreh se është e papranueshme të thuhet,  “ne nuk e duam këtë zgjidhje”, sepse është një zgjidhje e miratuar nga OKB-ja dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare. Dhe pikërisht për këtë duhet të flasim. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu.”, - deklaroi përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. 
 
Një normalizim i plotë i marrëdhënieve midis Izraelit dhe shteteve arabe nuk do të jetë i mundur nëse Tel Avivi vazhdon të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, paralajmëroi Jordania.
 
“Izraeli nuk mund të ketë siguri për sa kohë palestinezëve u mohohen të drejtat e tyre. Konflikti ka minuar interesat e të gjithë shteteve mesatare dhe ka dobësuar pozitën e aktorëve ndërkombëtarë përmes paaftësisë së tyre për të ndalur luftimet.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ajman Safad.
 
Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti të Palestinës. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri Benjamin Netanjahu, duke pretenduar se kjo do të përbënte një sfidë ekzistenciale për shtetin hebre.
 
“Gaza duhet të çmilitarizohet dhe të vihet nën kontrollin e plotë të Izraelit. Nuk do të bëj kompromise me sigurinë. Këmbëngulja ime është ajo që ka penguar, me kalimin e viteve, krijimin e një shteti palestinez që do të përbënte një rrezik ekzistencial për Izraelin. Për sa kohë të jem kryeministër, do të vazhdoj të insistoj fuqishëm për këtë.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nuk do të zgjidhet me përdorimin e armëve. Këtë qëndrim e ndajnë së bashku Franca, Irlanda, Belgjika dhe Letonia.
 
“Zgjidhja me dy shtete është perspektiva jonë politike dhe për këtë çështje janë shqetësuese deklaratat e Netanjahut se do të ketë nevojë për një shtet palestinez me garanci sigurie për të gjithë. Këto janë dy tema.”, - theksoi ministri i Jashtëm francez, Stefan Sezhurn.
 
Në agjendën e Këshillit për Punët e Jashtme, edhe agresioni rus kundër Ukrainës. Presidenti ukrainas Zelenski tha se do të ketë më shumë ndërveprim dhe komunikim me Bashkimin Evropian dhe fqinjët më të afërt të Ukrainës në javët e ardhshme. Në të njëjtën kohë, në Nju Jork do të mbahet një mbledhje e Këshillit të Sigurimit në të cilën do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë ruse, Lavrov.
 
BELINDA KOKA ADEMI