Maqedoni

Qeveria teknike, Parlamenti rikonfirmon kalendarin, VMRO, gjatë javës me emrat e ministrave

22.01.2024 16:05

Kuvendi nuk ndryshon kalendarin e aktiviteteve për votimin e Qeverisë teknike....

Kuvendi nuk ndryshon kalendarin e aktiviteteve për votimin e Qeverisë teknike. Të enjten do të miratohen dorëheqjet e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi dhe kryeministrit, Dimitar Kovaçevski. Të premten, koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitreski, emërohet kryeparlamentar i ri. E diela është afati përfundimtar i votimit të Qeverisë teknike. Renditja e tillë e aktiviteteve është vërtetuar në koordinim tek kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Deputetët e VMRO-DPMNE-së konsiderojnë se dorëheqjet parciale të ministrave në krye me Kovaçevskin janë amaterizëm politik. Ata do të shprehen të përmbajtur gjatë votimit të Qeverisë teknike, por nuk heqin dorë nga postet ministrore. Të mërkurën mblidhet komiteti ekzekutiv i partisë për të konkretizuar emrat e ministrave.
 
“Kush do t’i nënshkruajë pagat në Qeveri, vendimet bazike. Ne nuk mund të kemi ministra shtesë ose zëvendësministra kur ligji është i qartë se me Qeverinë udhëheqin ministrat, gjithçka tjetër është jashtë Kushtetutës dhe ligjeve. Ditëve në vijim deri kah fundi i javës gjegjësisht deri me afatin, i cili do të konfirmohet sipas dorëheqjeve, VMRO–DPMNE do të bisedojë dhe do të propozojë kandidatët e saj për të gjitha këto vende të lira ministrore.”, - deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO–DPMNE.
 
Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili shprehet optimist në rrumbullakimin e procesit deri në fund të javës, e shikon si kontradiktore qasjen e dyfishtë të VMRO-së. Ai thërret opozitën në respektimin e Ligjit për Qeveri.
 
“Konsideroj se ka ditë të mjaftueshme deri të dielën, procedurat të përmbyllen dhe të dielën të kemi votim për Qeverinë teknike, e cila do të zbatojë zgjedhjet. Gjithkush duhet të punojë sipas ligjit, propozoni ministra dhe mbështetni ata ministra, pasi nuk mund të prisni që të propozoni ministra, ndërkaq dikush tjetër të mbështesë ministrat tuaj. Një gjë e tillë nuk ekziston në praktikën botërore.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Javën e kaluar edhe nga BDI-ja paralajmëruan mospërkrahjen e kandidatëve për ministra të VMRO-së, nëse ata nuk mbështesin Talat Xhaferin për kryeministër. Nga kabineti i Xhaferit, pas koordinimit javor nuk komentuan qasjen e tillë të BDI-së, duke e vlerësuar si çështje partiake. Përpos VMRO-së, Qeverinë teknike nuk do ta mbështesë as Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit. Qeveria teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
 
MERAL ISMAILI