Maqedoni

Filloi gjysmëvjetori i dytë, klasat e gjashta nuk kanë libra në të gjitha lëndët

22.01.2024 17:32

Pas pushimit dimëror, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme...

Pas pushimit dimëror, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme u kthyen në bankat shkollore për të vazhduar mësimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit 2023/2024. Klasat e gjashta u rikthyen edhe këtë gjysmë-vjetor, me mungesën e librave në disa lëndë të caktuara. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se me ndryshimet ligjore, këtij problemi shumë shpejt do t'i jepet zgjidhje.
 
Shaqiri: Shumë shpejt zgjidhje me ndryshimet ligjore
 
“Ministria e Arsimit, ka ndërmarr të gjitha masat për t'i anashkaluar vështirësitë që i kanë pasur nxënësit në vitin paraprak. Ky gjysmë-vjetor na gjen shumë më ndryshe se viti paraprak, sepse janë shpërndarë të gjitha tekstet shkollore, pra qysh në gjysmëvjetorin e parë. Nuk diskutojmë për çështje klasash, po diskutojmë për lëndë të caktuara, si:  Historia dhe Shoqëria dhe së cilës do t'i japim shumë shpejt zgjidhje me ndryshimet ligjore.”, - deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Drejtorët e shkollave fillore njoftojnë se klasat e gjashta, vetëm në lëndën e Matematikës dhe Gjuhës Shqipe janë të kompletuara, ndërsa në lëndët tjera ka mungesë. Ndërkohë, klasat e shtatë, tetë dhe nëntë punojnë me libra të vjetër.
 
“Sipas konceptit të ri, shkolla jonë prej klasës së parë deri në klasën e gjashtë është furnizuar me libra, por të gjitha librat i kanë prej klasës së parë deri në klasën e pestë, në klasën e gjashtë jemi të furnizuar komplet me libra nga Gjuha Shqipe, nga lënda e Matematikës dhe nga Shkencat Natyrore me fletore të punës, ndërsa më librat tjerë jemi në pritje. Sipas Ministrisë na kanë thënë që do të vinë librat për klasat e gjashta.”, - deklaroi drejtori i shkollës "25 Maji", Fadil Murtezani.
 
Por, për dallim nga shkollat fillore, shkollat e mesme nuk përballen me mungesën e teksteve shkollore, pasi janë furnizuar me libra prej fillimit të vitit shkollor. Ndërsa nxënësit të entuziazmuar dhe me shumë energji u rikthyen në bankat e shkollës.
 
“Në krahasim prej gjysmëvjetorit të parë, i dyti është më i lehtë, sepse është vazhdim i procesit mësimor. Pra, programi është gati, orari është gati, librat i kanë dhe gjithçka është në rregull.”, - theksoi drejtori i gjimnazit "Zef Lush Marku”,  Arben Memedi.
 
“Prej ditës së parë, në këtë fillim gjysmëvjetori kemi filluar mësimin me orar të plotë, librat i kemi pasur gjithë me veti.”, - u shpreh një nxënës i gjimnazit “Zef Lush Marku”.
 
“Ta përmbledhim në pika të shkurtra, gjithçka ka shkuar mirë dhe kaluam shumë mirë edhe pse është gjysma e ditës.”, - u shpreh një nxënës tjetër i gjimnazit “Zef Lush Marku”.
 
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, njoftoi se këtë vit do të ketë edhe një tjetër pushim pranveror, i cili do të fillojë nga data 29 prill deri më 6 maj 2024, që është një risi për këtë vit shkollor.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU