Maqedoni

Qyteti i Shkupit votoi subvencionet për NQP-në, autobusët kthehen rrugëve të Shkupit

22.01.2024 17:54

Pas diskutimeve të ashpra dhe tensionuese, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi propozimin...

Pas diskutimeve të ashpra dhe tensionuese, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi propozimin që NQP-Shkup t’i ndahen subvencione prej 11 milionë euro, me çka mundësohet që autobusët e NQP-së të kthehen rrugëve të Shkupit.
 
“Autobusët, që sonte, do të fillojnë të lëvizin nëpër rrugët e Shkupit, kurse prej nesër do të normalizohet transporti i përgjithshëm në Qytetin e Shkupit.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së NQP-SHKUP, Miqo Stojanovski. 
 
Ky vendim u morr në seancën e dytë të jashtëzakonshme gjatë ditës së sotme, pasi në seancën e parë dështoi për shkak se VMRO-DPME votoi si e përmbajtur.  Gjithashtu partia opozitare përmes amendamentit kërkoi që të shkurtohet vlera e subvencioneve.
 
“Së pari propozoni amendament me të cilin e dini se këtyre njerëzve do t’u shkurtoni mjetet për paga për dy muaj mes të zgjedhjeve, kur nuk do të mundet të votohet për asgjë, të jemi përsëri në situatë të tillë dhe përsëri të krijoni një krizë të rrejshme në qytet.”, - theksoi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. 
 
“Gjatë kohës kur kryetar komune ishte Koce Trajanovski, si ka mundur që me 150 milionë denarë mundej të funksiononte kjo ndërmarrje publike, kurse tani nuk mundet të funksionojë me 780 milionë denarë?”, - u shpreh këshilltarja e VMRO-DPMNE-së në Shkup, Marija Andonovska. 
 
“Protestat nuk duhet të jenë para objektit të Qytetit të Shkupit, por protestat nga nesër mund t’i bëjnë para sheshit të VMRO-DPMNE-së.”, - deklaroi këshilltari i LSDM-së në Qytetin e Shkupit, Gordan Shutarov.
 
“Ne si Ndërmarrje Publike, pothuajse 70% të udhëtarëve përmes programeve të ndryshme i vozisim falas.”, - theksoi drejtori i NQP-SHKUP, Kërste Petrevski. 
 
Derisa po vazhdonte diskutimi, dhjetëra punëtorë të Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkupi” vendimin e kanë pritur në rrugë në temperatura nën zero.
 
“Jepni subvencionet, pastaj le të grinden mes vete, çfarë të duan le të bëjnë. Mua më intereson paga ime, mua më paguani mundin.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së vozitësve, Afrim Muça. 
 
“Ne jemi ndërmarrje e qytetit. Themelues i NQP-së është Qyteti i Shkupit dhe prandaj Qyteti i Shkupit duhet të mendojë për ne. Edhe ne kemi familje, kemi kredi, kemi shpenzime.”, - u shpreh Elizabeta Toshevska nga Organizata Sindikale “Spajs”.
 
Përndryshe, transporti publik sot ishte në funksion vetëm prej në ora 04:30 deri në 09:00, pas  së cilës autobusët e NQP-së janë tërhequr drejt bazave. 
 
Autobusët e NQP – Shkup në vend që të lëvizin nëpër rrugët e kryeqendrës, në shenjë proteste janë parkuar këtu në afërsi të objektit të Qytetit të Shkupit. Kjo është për shkak të mospagesës së pagave të dhjetorit. Kjo situatë ka hutuar qytetarët, që po prisnin ardhjen e autobusëve. 
 
“Nëse nuk ka autobusë do të ecim në këmbë apo me taksi. Këto janë probleme të këqija, por ka kush që duhet që t’i zgjidh këto. Ne nuk jemi ata që duhet të zgjidhim këto probleme.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Po shikoj në telefon, pak më parë shkruante 25 minuta, tash 33.”, - theksoi një qytetare tjetër.
 
Edhe vitin e kaluar punëtorët e NQP-së nuk dolën për të vozitur për shkak të vonesës në dhënien e pagave. 
 
ERSAN PAJAZITI