Botë

OKB, Rusia pyetet për fatin e fëmijëve ukrainas

22.01.2024 18:16

Kombet e Bashkuara kërkojnë nga Moska që të sqarojë se çfarë ka ndodhur me mijëra fëmijë ukrainas...

Kombet e Bashkuara kërkojnë nga Moska që të sqarojë se çfarë ka ndodhur me mijëra fëmijë ukrainas që besohet se janë dërguar me forcë në Rusi, prej nisjes së luftës në Ukrainë.
 
Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve – 18 ekspertë të pavarur – pritet të vlerësojnë dëshmitë e Rusisë për dy ditë.
Lista e tyre e gjatë e shqetësimeve i është dërguar Moskës në gjysmën e parë të vitit 2023.
 
Ata dëshirojnë të dinë sa fëmijë janë “evakuuar” në Rusi, apo brenda territorit ukrainas të pushtuar prej Rusisë.
 
Ekspertët kanë thënë se dëshirojnë të dinë se çfarë ka bërë Moska për të mbrojtur “të drejtën e këtyre fëmijëve për të ruajtur identitetin, përfshirë kombësinë, emrin dhe marrëdhëniet familjare”.
 
Kievi vlerëson se 20,000 fëmijë ukrainas janë dërguar me forcë në Rusi. Moska ka thënë se dëshiron t’i mbrojë këta fëmijë prej luftimeve.
Deri më tani, vetëm rreth 400 fëmijë janë riatdhesuar.