Botë

Ukrainë, sulmohet Kievi, njoftohet për viktima

23.01.2024 12:21

Disa persona janë vrarë dhe plagosur më 23 janar, si pasojë e valës së re të sulmeve ruse me raketa...

Disa persona janë vrarë dhe plagosur më 23 janar, si pasojë e valës së re të sulmeve ruse me raketa në qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin, Kievin.
 
Sistemet e alarmeve janë aktivizuar në të gjithë territorin e Ukrainës. Në Kiev, të paktën një grua është vrarë dhe nëntë persona tjerë janë plagosur, ka thënë kryetari i kryeqytetit, Vitali Klitçko, në platformën Telegram. Tri distrikte janë shënjestruar në sulm, ka thënë Klitçko. Sipas tij, tetë persona janë shtruar në spital. Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, raketat ruse Kh-22 kanë goditur shënjestra civile, ka thënë guvernatori rajonal, Oleh Siniehubov, po ashtu, në Telegram.
 
“Si rezultat, 28 persona janë plagosur. Dy gra, 56 dhe 40 vjeçe, fatkeqësisht, janë vrarë.”, ka thënë ai, duke publikuar pamje të ndërtesave krejtësisht të shkatërruara.
 
Raketat ruse kanë goditur edhe qytetin Pavlohrad, në rajonin jugor të Dnjipropetrovskut, duke e vrarë të paktën një person. Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh dhe dëmesh materiale.