Maqedoni
Kurti për takimin me Taravarin: Orientimi euroatlantik, vetëdije kombëtare
23.01.2024 14:14
Orientimi i qartë euroatlantik për shqiptarët paraqet vetëdije historike dhe kombëtare....

Orientimi i qartë euroatlantik për shqiptarët paraqet vetëdije historike dhe kombëtare. Kështu ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale me të cilin njofton për takimin me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në margjinat e konferencës së liderëve të rajonit në Shkup, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Shqiptarët, më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euroatlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje. Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie.”, shkruan Kurti.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Kurti po ashtu ka sqaruar se megjithëse Lëvizja Vetëvendosje ka aktivistë nga Maqedonia e Veriut dhe ata mund të garojnë individualisht në lista, por partia e tij nuk është e regjistruar si subjekt dhe rrjedhimisht nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. I pyetur nëse partitë politike shqiptare duhet të kenë kandidat të tyre për president në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se për këtë duhet të vendosin qytetarët dhe vetë partitë politike në Maqedoninë e Veriut.
GYLTENE SINANI
