Ekonomi
Qeveria vazhdon çmimet e kufizuara deri më 29 shkurt
23.01.2024 14:36
Qeveria ka miratuar vendimin për vazhdimin e kufizimit të çmimeve për ushqimet bazë....

Qeveria ka miratuar vendimin për vazhdimin e kufizimit të çmimeve për ushqimet bazë, deri në fund të muajit shkurt. Vazhdimi i afatit për kufizimin e çmimeve erdhi me propozim të ministrisë së ekonomisë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tregun me shumicë dhe pakicë.
Qytetarët e mirëpresin vendimin e Qeverisë, megjithatë thonë se çmimet duhet të ngelin të njëjta, ndërsa pagat të rriten, sepse ndryshe nuk mund t’ia dalin dot t’i mbulojnë shpenzimet mujore.
“Është një lehtësim, por ndoshta përsëri sipas të ardhurave që i marrin qytetarët çmimet janë të larta. Unë ndoshta ia dal, sepse kam më tepër të punësuar në familje, por problemi është për ata që e marrin vetëm një rrogë. Çmimet duhet të ngelin në atë nivel që janë, kurse të ardhurat duhet të rriten.”, - u shpreh një qytetar.
“Unë mendoj sa më mirë, por tjetër problem ka, se ne nuk kemi produkte tona, më shumë i kemi nga jashtë.”, - u shpreh një tjetër qytetar.
“Çmimet që kanë qenë tashmë disa ulen e disa rriten, me shumë vështirësi se me një rrogë dhe rroga e dobët, mezi se po ia dalim. Normal se duhet të ulen çmimet ose rrogat të rriten.”, - tha një qytetar.
“Shumë shtrenjtë, shumë! As në Gjermani nuk janë kështu, më lirë janë në Gjermani se këtu tek ne. S’ka shans me 100-200 euro, ku është rryma e ku janë harxhimet tjera?!”, - tha një qytetar tjetër.
Marketet po e respektojnë vendimin e Qeverisë për vazhdimin e kufizimit të çmimeve të ushqimit bazë.
“Po e respektojmë deri në fund të muajit shkurt, respektohen masat e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve bazë. Po, ka dallim mes ditëve të kaluara, ka shitje më të madhe.”, - u shpreh shitësi i një marketi, Artan Aliu.
Nga Qeveria kanë bërë të ditur se vazhdohet kufizimi i çmimeve deri më 29 shkurt 2024, në vend të 31 janarit 2024, për disa lloje të produkteve ushqimore edhe atë: orizi, mielli, buka dhe produkte të tjera të bukës, biskotat, brumërat, mishi dhe prodhimet e mishit, qumështi, vezët, djathi, kaçkavalli dhe prodhime të tjera të qumështit. Po ashtu vazhdohet deri më 29 shkurt, kufizimi paraprak i konstatuar i çmimeve për: ujin mineral të pagazuar dhe të gazuar dhe pijet e pagazuara dhe të gazuara, në paketime të caktuara.
VLORA LATIFI TOPOJANI
