Tetovë, në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, profesorët bojkotojnë mësimin
Ende nuk ka filluar gjysmëvjetori i dytë...

Ende nuk ka filluar gjysmëvjetori i dytë në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, pasi që profesorët bojkotojnë mësimin, për shkak se dy muajt e fundit, pagat i morën me nga dy javë vonesë.
Ata thonë se me këto vonesa po shkelet dinjiteti i tyre, ndërsa paguajnë interesin bankave shkaku i mospagesës së faturave dhe kredive që kanë.
“Vërtet është nëpërkëmbje shumë e madhe, sepse nuk është hera e parë. Ne mendojmë se kësaj praktike duhet t’i vijë fundi, sepse me ligj duhet rrogat të jepen deri më datë 15, ndërsa me datë 16 ne mund edhe të padisim. Andaj, kjo le të jetë si vërejtje, sepse edhe herën e parë ndodhi njëjtë. Nuk kemi asnjëfarë shpjegimi përse vonohen rrogat.”, - theksoi profesori, Ismail Amiti.
“Nuk është normale kjo, sepse nuk është hera parë, sërish përsëritet. Dihet që pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit kanë kredi, kanë fatura, rrymë, telefonat dhe gjithë kërkojnë pagesë dhe kanë kamata. Në mënyrë drastike na është ulur dinjiteti.”, - u shpreh profesori, Ejup Ramadani.
Ndërsa drejtoresha e shkollës, Teuta Llalla, thotë se zyrtarisht nuk ka bojkot dhe për këtë situatë e fajëson politikën.
“Asnjë informacion zyrtar për çështje bojkoti nuk kam. E ajo që po vazhdon politika me gjimnazin, e shihni, politika ka hyrë aq thellë dhe aq janë instrumentalizuar mësimdhënësit, sa që më nuk e dinë se kujt i shërbejnë.”, - deklaroi drejtoresha e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Tetovë, Teuta Llalla.
Kurse sektori i arsimit në komunën e Tetovës për gjendjen e krijuar në gjimnazin e Tetovës, e fajëson Ministrinë e Arsimit.
“Ende kjo s’ka lidhje me komunën se bllok dotacionet janë ende në ministri. Kompetencat na u kthyen para një jave dhe jemi në procedurë të kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që mjetet e dotacioneve për gjimnazin nga ministria, të transferohen në komunë dhe kjo do të zgjidhet. Me kalimin e këtyre mjeteve në komunë, nuk do të ketë asnjë problem as me rroga as me asgjë.”, - theksoi Nazmi Dauti nga sektori për arsim, komuna e Tetovës.
Përndryshe ky gjimnaz ishte “mollë sherri” mes komunës dhe Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit ia kishte marrë ingerencat komunës. Por, vendimi i fundit i Gjykatës Administrative për herë të parë në vendin tonë ishte në favor të komunës së Tetovës, duke ia kthyer këto kompetenca komunës dhe ia largon të drejtën e ankesës Ministrisë së Arsimit.
Ndërsa, nga komuna e Tetovës kanë theksuar se pas kthimit të kompetencave do të vazhdojnë procedurat për shkarkimin e drejtoreshës, Teuta Llalla. (Visar Sadiki, TVM2)
