Maqedoni
Konferenca “Viti i mundësive evropiane”: 2024-shi, vit i frontit evropian, fryma tjera, jo
23.01.2024 15:51
Angazhimet që e presin vendin këtë vit dhe problemet që u trashëguan nga viti që lamë...

Angazhimet që e presin vendin këtë vit dhe problemet që u trashëguan nga viti që lamë pas në konferencë ditore organizuar nga Qeveria e vendit. Rruga evropiane, sundimi i ligjit, shëndetësia dhe ambienti në fokus të paneleve dhe debateve.
Kryeministri Kovaçevski sheh vetëm një rrugë që i garanton perspektivë vendit, e ajo është integrimi në Bashkimin Evropian.
“Viti që filloi është vit i vendimeve, vendimeve për progres evropian ose për izolim, opsion të tretë nuk ka. Ne veç më kemi bërë investime të mëdha për të ardhmen e vendit tonë dhe tash nuk na duhet aspak ndarje politike dhe partiake dhe premtime të rrejshme.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Për zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, korridori 8 dhe dhe 10-D i dha emër vitit 2023. Për sfidat dhe krizat politike të viteve të fundit, fajtor i vetëm është Rusia, thotë ai.
“Kjo shoqëria jonë progresive u përball me sfida të shumta, e cila ka një emër të përbashkët, vetëm një faktor të nxitjes dhe një qendër të koordinimit dhe inspirimit, e ajo është Rusia. Maqedonisë sonë i duhen liderë të guximshëm për front evropian dhe që do t’i vendojë fund ndikimit rus në vendin tonë.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Për dy zëvendëskryeministrat, Mariçiq dhe Bytyqi, rruga evropiane duhet të shihet si reforma dhe si mundësi financiare. Kryenegociatori me BE-në është optimist se mund të bëhemi anëtare deri në vitin 2030, nëse jemi unik brenda shtetit, i cili njëherit pret që mjetet e para nga Plani për Zhvillim për Ballkanin Perëndimor të ndahen në fillim të majit.
Nga fondet evropiane fituan gjithashtu edhe kompanitë e brendshme, potencoi zëvendëskryeministri, Bytyqi.
“Reformat evropiane që veç më i kemi vërtetuar, nuk janë larg dhe nuk janë diçka abstrakte. Kemi plane konkrete, udhërrëfyes që me data dhe hapa konkret na udhëzojnë në ato që duhet t’i bëjmë. E kemi rrugën në skicë, por që duhet ta ecim.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq.
“Përkrahja e ekonomive të brendshme në vitin 2016 dhe në fillim të vitit 2017 ishte zero dhe atëherë e filluam atë qe e dini të gjithë, ligji për përkrahjen e investimeve që në portfolion e vet ka 919 kompani vendore, të cilat në këto 6 vite ende të pambaruara janë përkrahur me 100 milionë euro.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Konferenca vjetore qeveritare “Viti i mundësive evropiane” vazhdon punimet edhe të mërkurën me diskutime për çështjet e brendshme, të jashtme dhe të fushave të tjera me rëndësi shoqërore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
