Maqedoni

Formimi i Qeverisë teknike, Kovaçevski konfirmon dorëheqjen të enjten: Të gjitha partitë të japin mbështetje

23.01.2024 16:10

Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmon dorëheqjen e tij të enjten...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmon dorëheqjen e tij të enjten, për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike më 28 janar. Kovaçevski thotë se me tërheqjen e tij, dorëhiqet e gjithë qeveria. Kryeministri fton të gjitha partitë, me theks të veçantë VMRO-në, të mbështesin Qeverinë teknike dhe Talat Xhaferin për kryeministër.
 
“Konsideroj se tani të gjitha partitë politike në përputhje me ligjin do të duhet të mbështesin këtë qeveri, pasi që bëhet fjalë për mandatar, i cili ka qenë ministër në kohën e qeverisjes së VMRO – DPMNE-së. Unë i shoh një pjesë të përfaqësuesve të VMRO-së tani i drejtohen me epitete të caktuara, të cilat nuk ishin të njëjta në kohën kur ishte kandidati i tyre për ministër të Mbrojtjes dhe atëherë u janë drejtuar me zotëri Xhaferi.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Xhaferi thërret koordinimin e dytë brenda javës
 
Paralelisht me kryeministrin, dorëheqjen do ta deponojë edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Nga kabineti i Xhaferit edhe pse kanë njoftuar se planifikimi për mbajtjen e seancave mbetet i njëjtë, megjithatë deklarimet politike kundrejt votimit më 28 janar kanë turbulluar ujërat se mund të ketë edhe ndryshime në itinerarin e seancave. Kryeparlamentari Xhaferi, për nesër thërret koordinim.
 
“Nesër kryetari i Parlamentit do të ketë një koordinim ad hok, ku do të vërtetohen datat e sakta për mbajtjen e seancave.”, njoftojnë nga kabineti i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
 
Në koordinim tek Xhaferi, tanimë një kohë të gjatë nuk marrin pjesë përfaqësues të VMRO-së dhe tani edhe përfaqësues të opozitës shqiptare, pas përplasjeve me pushtetin për të zënë vendin vakant në KShZ. Të dyzuar në qëndrim kundër Talat Xhaferit janë edhe nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov.
 
MERAL ISMAILI