Maqedoni
Hulumtim, ndikimi i propagandës së huaj, dezinformatat, të rrezikshme për shoqërinë
23.01.2024 16:29
Në vitin 2023, krijimi dhe përhapja e dezinformatave janë identifikuar jo vetëm si problem mediatik...

Në vitin 2023, krijimi dhe përhapja e dezinformatave janë identifikuar jo vetëm si problem mediatik, por edhe si problem i sigurisë, që prish funksionimin e institucioneve demokratike, duke kërcënuar kështu të drejtat themelore të njeriut. Këto të dhëna i ka nxjerrë hulumtimi i realizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” me mbështetjen e Rrjetit Global për Mbrojtjen dhe Promovimin e Shprehjes së Lirë IFEX, si pjesë e një përpjekjeje gjithëpërfshirëse që synon zbulimin e ndikimit të propagandës së huaj në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Dezinformatat janë shumë të dëmshme dhe të njëjtat duhet të sanksionohen me ligj, ku 74 për qind e qytetarëve pajtohen me këtë konstatim. Pra, tre e katërta e qytetarëve mendojnë se dezinformatat në mediat përdoren për të nxitë gjuhën e urrejtjes mes nacionaliteteve dhe ndarje në shoqëri. Dezinformatat janë njësoj të rrezikshme sikurse edhe luftërat tjera speciale. Dezinformatat më së shpeshti i përdorim liderët jodemokratik dhe autoritar apo rreth 56 për qind e qytetarëve mendojnë se këtë mekanizëm e përdorin rezhimet jodemokratike.”, - theksoi hulumtuesi, Gjorgje Mitrevski.
Sipas hulumtimit, një numër i lartë i të anketuarve konsiderojnë se institucionet e vendit nuk kanë kapacitet, që të përballen me dezinformatat.
“Më e lartë është përqindja e qytetarëve të cilët besojnë se vendi nuk ka kapacitete të përballet me dezinformatat si formë e luftës speciale, dhe kjo tregon se qytetarët mirë e dinë formën e dezinformatave dhe qëllimin e zgjerimit të tyre në mediat e vendit. 89 për qind e qytetarëve mendojnë se politikanët shpërndajnë dezinformata, 85 për qind mendojnë se mediumet shpërndajnë dezinformata.”, - u shpreh hulumtuesi, Gjorgje Mitrevski.
Fatkeqësisht, investimet masive të aktorëve antidemokratikë kanë vazhduar të forcojnë ndikimin e dezinformatave, së bashku me teoritë e konspiracionit dhe llojet e ndryshme të propagandave dhe manipulimeve politike, u tha gjatë prezantimit. Ky hulumtim është realizuar në tetor të vitit të kaluar, në rrafshin reprezentativ nga 1,100 anketues, ku janë prekë tre tema edhe atë: Shpërndarja e dezinformatave në mediat, Interesimi i qytetarëve për ndryshimin e politikave në rregullimin e dezinformatave dhe ndikimi i burimeve vendore dhe të huaja në dezinformatat.
FITIM KRYEZIU
