Masat për ngrirje të çmimeve, Bekteshi: Inflacioni është stabilizuar në 3,5 %

23.01.2024 16:54

Masat qeveritare për ngrirje të çmimeve të produkteve bazë....

Masat qeveritare për ngrirje të çmimeve të produkteve bazë kanë dhënë efekt. Tregues për këtë, sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është ajo se inflacioni nga 20% ka rënë në 0,1%. Andaj Bekteshi tha se si Qeveri e shohin të udhës që këto masa të vazhdojnë deri në fund të shkurtit.

“Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi pasur mbi 20 për qind inflacion në sektorin e ushqimeve dhe 14 për qind të pijeve alkoolike dhe joalkoolike dhe sot flasim për 0,1 për qind në sektorin e ushqimeve dhe pijeve, kurse inflacioni i përgjithshëm në vendin tonë, tashmë është stabilizuar në jo më shumë se 3,5 për qind. Për këtë arsye vendosëm ta shtyjmë masën deri në fund të shkurtit, për t'i dhënë hapësirë Kuvendit të miratojë zgjidhjen e re ligjore për praktikat e padrejta tregtare.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Energjia elektrike, Bekteshi: Qeveria vazhdon subvencionimin e rrymës

Duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kuadër të forumit “Viti i mundësive”, Bekteshi bëri të ditur se deri më 1 korrik do të ketë subvencionim të rrymës nga Qeveria drejtpërdrejtë përmes EMV-së duke përcaktuar çmimin e tyre me të cilin shitet energjia elektrike.

Bekteshi theksoi se në muaj të caktuar subvencioni do të rritet dhe qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse nuk do të ketë rritje të çmimit për bllokun e parë dhe të dytë. 

“Ne si Qeveri, natyrisht, ne ofrojmë subvencione në mënyrë indirekte përmes funksionimit të EMV-së, duke përcaktuar çmimin e EMV-së që ofron për furnizuesin universal dhe kështu do të vazhdojmë deri në mesin e këtij viti, kur të merret vendimi i ri për çmimin.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi tha se këtë vit, për herë të parë që nga pavarësimi i vendit, do të jemi plotësisht të pavarur nga pjesa lindore për sa i përket furnizimit me energji, veçanërisht në fushën e gazit natyror. (Ersan Pajaziti, TVM2)