Rripi i Gazës, regjistrohen dhjetëra viktima
Forcat tokësore izraelite kanë rrethuar Kan Junisin....

Forcat tokësore izraelite kanë rrethuar Kan Junisin në jug të Gazës dhe kanë kryer një operacion të gjerë luftarak, ku janë regjistruar dhjetëra palestinezë të vrarë.
Në këtë operacion gjithashtu, janë vrarë 21 ushtarë izraelit, njofton zëdhënësi i ushtrisë izraelite, duke e konsideruar këtë si sulmin më vdekjeprurës ndaj forcave të saj në luftën tremujore kundër Hamasit.
Hagari supozon që udhëheqësit e lartë të Hamasit mund të fshihen nëpër tunele në këtë pjesë të qytetit, që është vendlindja e zyrtarit më të lartë të grupit Hamas në Gazë.
“Gjatë luftimeve në qendër të Rripit të Gazës u vranë 21 luftëtarë rezervistë. Forcat izraelite po operonin në një zonë që ishte tampon midis komuniteteve izraelite pranë Gazës, pranë komunitetit të Kisufit. Rezervistët kanë qenë duke përgatitur mjete shpërthyese për t’i shkatërruar dy ndërtesa në qendër të Gazës, kur një militant ka lëshuar granatë në tankun e afërt dhe ushtarët tanë kanë vdekur.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
Kryeministri izraelit, Benjamin Nentanjahu, është zotuar se do të çojë përpara ofensivën derisa Izraeli të shkatërrojë Hamasin. Ndërkohë nga grupi i palestinez Hamas, thonë se janë të gatshëm për bisedime paqeje me Izraelin, por sipas tyre, mungon gatishmëria e Qeverisë - Netanjahu.
“Ne kemi vendosur t'i japim fund agresionit që të shpëtojmë popullin tonë, por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, nëse Netanjahu dhe Qeveria e tij, vazhdojnë në këtë mënyrë duke lëshuar bomba dhe duke vrarë njerëzit e pafajshëm.”, - theksoi kreu i Hamasit.
Në të njëjtën kohë zgjerohet koalicioni për sigurinë në Detin e Kuq. Forcat amerikane dhe britanike me mbështetjen e aleatëve të tjerë kryen sulme kundër tetë objektivave të grupit Huthi në Jemen.
“Sulmi kishte në shënjestër në mënyrë specifike një depo nëntokësore të Huthive dhe vendndodhjet e lidhura me aftësitë e raketave dhe të mbikëqyrjes ajrore të Huthive. Edhe Zelanda e Re, e cila iu bashkua iniciativës, kontribuon në sigurinë detare, për t'i mbrojtur jo vetëm interesat tona jetike kombëtare, por edhe një urdhër i bazuar në rregullat ndërkombëtare.”, - thanë nga ShBA-ja.
Tensionet janë përshkallëzuar në Detin e Kuq mes sulmeve të Huthive ndaj anijeve tregtare të destinuara për në Izrael. Huthitë thonë se sulmet e tyre synojnë të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndalur sulmet vdekjeprurës në Rripin e Gazës, të cilat kanë vrarë më shumë se 25,295 njerëz që nga ofensiva ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, ku humbën jetën 1,200 izraelitë. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
