Dorëheqja e përfolur, Aliu përgënjeshtron lajmet e publikuara
Azir Aliu mbeti në krye të Ministrisë së Shoqërisë Informatike....

Azir Aliu mbeti në krye të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratë. Ai përgënjeshtron spekulimet e stome të disa mediave se do të dorëhiqet nga posti që ai drejton dhe thotë se do të punojë fuqishëm për t’i çuar para, tre propozim ligjet për reformën në administratën publike, dy të tjerat për digjitalizimin dhe një për mediat në procedurë kuvendore.
Ai tha se ka marrë garanca se ligjet do të vendosen në rend dite me flamurin evropian gjatë javës që vjen.
“Puna a do të jap dorëheqje apo jo, çdo herë është lidhur edhe unë çdo herë e kam thënë se ka dy javë, jo sot që nëse lidhen ligjet me mua si profil apo me emrin Azir Aliu. Unë do të jap dorëheqje me qëllim që ligjet të kalojnë dhe këtë e them unë, edhe sot do ta them edhe nesër do ta them, do ta them edhe pas një jave. Mua sot më informuan përpara se të vij këtu që është definuar koha e futjes së ligjeve në procedurë të martën në ora 11:00. Le të urojmë që të jetë ashtu.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu.
Më herët kryeministri në dorëheqje, Dimitar Kovaçevski, tha se Aliu nuk ka nevojë të dorëhiqet, pasi që të enjten dorëhiqet e gjithë Qeveria.
Kovaçevski lavdëroi punën e Aliut, e cilësoi atë si profesionist dhe i premtoi se shumë shpejtë këto ligje do të vendohen në shqyrtim në seancë plenare.
“Andaj askush prej ministrave nuk ka nevojë të japë asnjë lloj dorëheqjeje, sepse me dorëheqjen e kryetarit të Qeverisë e gjithë Qeveria është në dorëheqje. I gjithë ky diskutim është në lidhje me ligjet që ministria e tij i ka propozuar në Kuvend dhe për të cilët po përgatitet debat kuvendor. Ka deputetë që kanë mendime të ndryshme për një pjesë të këtyre ligjeve. Bëhet fjalë për një grup ligjesh për reforma në administratën publike, për marrëdhënie pune e të tjera. Megjithatë mendoj se ministri Aliu ka mundësi të mirë që gjithë këtë ta prezantojë në debatin kuvendor e më pas edhe në seancë plenare. Me të vërtetë mendoj se ka punuar me përkushtim për finalizimin e tyre.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sipas Aliut, çdo prolongim të miratimit të këtyre ligjeve do të ngadalësojë prosperitetin evropian të vendit. Njëherit, ai u bëri thirrje të gjitha partive politike që bashkërisht të miratojnë sa më parë këto ligje. (Rexhep Qamili, TVM2)
