Maqedoni
Mexhiti: Radiologjia, një prej pikave më problematike
24.01.2024 14:39
Ka lëshime dhe keqpërdorime në shëndetësi, siç janë ato me mos shfrytëzimin...

Ka lëshime dhe keqpërdorime në shëndetësi, siç janë ato me mos shfrytëzimin sa duhet të rezonancën magnetike që është konstatuar nga Enti shtetërorë i revizionit, por Ministria e Shëndetësisë po përpiqet t’i zgjidh ato.
Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, duke theksuar se radiologjia është një prej pikave më problematike. Por, ai zgjidhjen e sheh te centralizimi i radiologjisë.
“Do ta centralizojmë tërë radiologjinë, e cila do të jetë në Klinikën e Radiologjisë, me çka nuk do të ketë nevojë në tërë shtetin të ketë radiologë, do të ketë vetëm personel teknik për realizimin e fotografimit dhe më pas radiologët onlajn do të mund ta lexojnë. Por, ky është proces që zgjatë dhe ne jemi të kujdesshëm që kjo të jetë efikase.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Spitali i përgjithshëm në Veles, pajisje të reja për anesteziologji
Sipas Mexhitit, në Klinikat Universitare të kompleksit “Nënë Tereza” në Shkup, përfshirë Klinikën e Radiologjisë, ka mungesë mjekësh dhe kuadrit tjetër të nevojshëm, prandaj ai tha se është angazhuar personalisht për 1,117 punësimet e paralajmëruara në shëndetësi, për të cilat tha se të gjitha përgatitjet janë në përfundim e sipër.
Këtë ministri Mexhiti e deklaroi në Spitalin e përgjithshëm në Veles, që u furnizua me aparaturë të re mjekësore.
“Bëhet fjalë për aparatin e ri për anestezion të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë prej 4 milionë denarësh. Kjo aparaturë e vendosur tashmë në sallën e operacionit nevojitet për funksionim më të mirë të repartit të anestezisë. Gjithashtu me mjete nga ministria në vlerë prej 3 milionë e gjysmë denarë kemi blerë edhe një respirator të ri.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Ministri Mexhiti tha se buxheti për furnizim me pajisje të reja është dyfishuar nga 2,6 milionë në 5 milionë euro, ndërsa janë siguruar pajisje të reja bashkëkohore në më shumë se 15 institucione shëndetësore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
