Maqedoni

Qeveria teknike, Xhaferi: Qeveria, në përputhje me ligjin

24.01.2024 14:57

Vendi më 28 janar do të ketë Qeverinë teknike, të formuar në përputhje me Kushtetutën....

Vendi më 28 janar do të ketë Qeverinë teknike, të formuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe askujt s’do t’i jepet luksi të shkelë afatet ligjore, thotë kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Kryeparlamentari nuk lëviz nga datat e caktuara. Krahas kryeministrit, edhe ai të enjten do të deponojë dorëheqje. Të premten do të hapen seancat për konstatimin e dorëheqjeve dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
 
“Më 28 janar pas zgjedhjes së Qeverisë do të konvokohet seancë e re parlamentare, në të cilën pika e parë do të jetë verifikimi i mandatit të deputetit që pason pas kryeministrit teknik dhe pika e dytë zgjedhja e zëvendësministrave dhe zëvendësministrave plotësues që të mundet përbërja e përgjithshme konform ligjit për Qeveri dhe marrëveshjes së Përzhinës të jetë në funksion në të njëjtin moment.”, - deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi. 
 
Xhaferi nuk komentoi deklarimet partiake nga VMRO-DPMNE-ja për mosmbështetjen e tij, ndërkohë që në përbërjen e Qeverisë teknike thotë se do të jenë edhe ministrat e VMRO-DPMNE-së, pasi ato të propozohen nga partia e Mickoskit.
 
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, të shtunën dorëzon programin qeverisës dhe përbërjen e Qeverisë së re. Si mandatar i ri i Qeverisë 100 ditëshe nuk do të kontestojë propozimet e VMRO-DPMNE-së për ministra në dikasterin e brendshëm dhe të sociales.
 
Stojanovska: Xhaferi mos ta shkelë ligjin
 
Nga VMRO-DPMNE, të cilët pritet në mbledhjen e komitetit ekzekutiv të finalizojnë emrat e ministrave teknik në dikasterin e brendshëm dhe të sociales, si dhe zëvendësministrat në Ministrinë e Financave, Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe Bujqësi, shpresojnë që Xhaferi të merr parasysh propozimet e tyre.
 
“Paragrafi 2 në nenin 3 në ligjin për Qeveri është i prerë, ku thuhet se mandatari, i cili duhet të jetë Talat Xhaferi, dorëzon te presidenti i shtetit propozim për Qeveri teknike me emra të kandidatëve për ministra për të gjitha ministritë. Andaj nuk ekziston përjashtim, deri më tani as që është parë. Jemi mësuar me përjashtime nga kjo përbërje qeverisëse, por të shpresojmë se nuk do të nisë mandatin e kryeministrit me shkeljen e ligjit për qeveri.”, - theksoi  deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
 
LSDM-ja veç më ka publikuar emrat e zëvendësministrave teknik. Mitko Bojmacaliev do të jetë zëvendësministër plotësues në MPB, ndërkaq Jovana Trençevska, zëvendëse në sociale. Me Kuvendin nga e premtja pritet të udhëheqë Jovan Mitreski, koordinator i deritanishëm i grupit parlamentar të LSDM-së. Ndërkohë që vendin e Xhaferit si deputet do ta zë Musa Ibraimi, deputeti i radhës i BDI-së në njësinë e pestë zgjedhore.
 
MERAL ISMAILI