Botë
Bislimi: Vendimi për heqjen e dinarit buron nga Kushtetuta
24.01.2024 15:33
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mbrojtur vendimin e autoriteteve financiare...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mbrojtur vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë. Bislimi, tha se vendimi del nga Kushtetuta, e cila duhet të zbatohet në tërësi.
“Kushtetuta e Kosovës ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet. Nuk ka logjikë që në njërin rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta duhet të implementohet në tërësi, siç është rasti me Manastirin e Deçanit, pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës, që thotë se ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq të thonë këtë mos e zbato.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Ndërkohë Ambasada amerikane në Prishtinë, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, dhe të ofrojë kohë për zbatimin e vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te qytetarët.
Aktualisht në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa, përfshi ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Edhe në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari. Por, ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.
Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më një shkurt. Me këtë vendim nuk është pajtuar Lista Serbe, ashtu si edhe autoritetet e Serbisë.
GYLTENE SINANI
