Maqedoni

VMRO-LSDM, përplasje rreth votimit të Qeverisë Xhaferi

24.01.2024 16:30

VMRO-DPMNE-ja opozitare insiston në mosvotimin e Qeverisë teknike....

VMRO-DPMNE-ja opozitare insiston në mosvotimin e Qeverisë teknike, edhe pse do të ketë ministrat dhe zëvendësministrat e saj. Madje, ajo thotë se edhe LSDM-ja në vitin 2016 derisa ishte në opozitë nuk ka mbështetur Qeverinë teknike edhe pse ka qenë pjesë e saj. Sipas VMRO-DPMNE-së edhe atëherë edhe tani, është përgjegjësi e mazhorancës qeverisëse të zgjedhë një qeveri për të organizuar zgjedhjet.
 
“Në vitin 2016 është votuar Qeveria, pa e votuar deputetët e LSD-së, atëherë nuk ka pasur deklarata se vota është detyruese dhe se nëse nuk kanë votuar, ministrat nuk duhet të zgjidhen sipas propozimit të tyre. Kjo është lista nga votimi i Qeverisë teknike në vitin 2016, në mesin e deputetëve të LSD-së që ishin atëherë është Jovan Mitreski, koordinator aktual i grupit parlamentar të LSD-së dhe propozim për kryetar të Kuvendit gjatë qeverisjes teknike. Jagoda Shahpaska, ministre në MPPS, deputeti aktual, Goran Misovski dhe nënkryetari i LSD-së, Stefan Bogoev.”, - deklaroi Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM-ja mohon pretendimet e VMRO-së se nuk kanë votuar për Qeveri teknike në vitin 2016.  
 
“Qeveria teknike është votuar më 2 shtator 2016, 100 ditë para zgjedhjeve të 11 dhjetorit, kur në sallë ishin 109 deputetë, 95 votuan për, në mesin e të cilëve edhe deputetë të LSDM-së, dy kundër dhe zero abstenime.”, thonë nga LSDM.
 
Socialdemokratët shpresojnë se opozita do të bëjë një hap drejt propozimit të ministrave dhe të jetë pjesë e Qeverisë teknike.  Kryeministri  Kovaçevski, disa herë ka deklaruar se nuk ka shtet në botë ku një parti do të jetë pjesë e një qeverie, të cilën nuk e ka votuar. Ndërsa edhe nga BDI-ja kanë paralajmëruar mundësinë e mosvotimit të ministrave të VMRO-së, nëse ata nuk votojnë Qeverinë teknike me kryeministër, Talat Xhaferin. Për shkak të mos zgjedhjes së kandidatit të tyre për anëtar të KShZ-së, opozita shqiptare ka paralajmëruar se nuk do të jetë e pranishme në seancën kuvendore kur do të zgjidhet Qeveria teknike. 
 
SANIJE DURAKU