Maqedoni

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve: Të punësuarve në media u shkelen të drejtat

24.01.2024 17:12

Të punësuarit në media përballen me pasiguri dhe frikë për mundësinë e humbjes së vendeve të punës...

Të punësuarit në media përballen me pasiguri dhe frikë për mundësinë e humbjes së vendeve të punës, ndërsa vetëm një e treta e të punësuarve në media i gëzon të drejtat e garantuara me ligj, thonë nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe punëtorëve medial.  Nga Sindikata thonë se pavarësia socio-ekonomike dhe stabiliteti i gazetarit janë thelbësore për profesionalizmin dhe integritetin e profesionit të tyre.
 
“Është e dukshme në këto të dhëna, shkelja e të drejtave në vendin e punës, pasiguria dhe frika për të humbur vendin e punës. Pak me shumë se një e treta e punonjësve gëzon të drejtat e punësimit me kohë të plotë, të rregullt dhe të gjitha privilegjet që rrjedhin ligjërisht nga punësimi.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Medial, Pavle Belovski.
 
Sipas një sondazhi të kryer nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias, rezultatet tregojnë se mbi 55 për qind e vendeve të punës në media kanë paga nën mesatare, duke theksuar një problem thelbësor në sektorin e informimit.
 
“Mbi 55% e gazetarëve kanë pagë nën mesataren në vend dhe për punonjësit e medias kjo përqindje është më e lartë, pra mbi 70%. Respektohen të drejtat bazë të punës, për shembull të drejtat për pagesën gjatë sëmurjes, të drejtat për pushim të lindjes. E drejta për orar të caktuar pune në masë të madhe respektohet, por te gazetarët rreth 25% punojnë, le të themi, në periudha që janë jashtë periudhave të përcaktuara ose të drejtën për të respektuar dy ditë pushim gjatë javës së punës, tek një e katërta e gazetarëve nuk është respektuar kjo e drejtë.”, - theksoi kryetarja e RESIS-it, Snezhana Tërpevska.
 
Hulumtimi vazhdon deri në qershor dhe planifikohet që të sjellë propozime konkrete për ndryshimet ligjore që do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e cilësisë së profesionit gazetar. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ky hulumtim shpresohet të jetë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës në mediat online dhe përmirësimit të integritetit dhe cilësisë së informimit në vend.
 
SEDAT SELIMI