Botë

ShBA, përpjekje për armëpushim të përkohshëm, Netanjahu: Lufta do të vazhdojë deri në fitore

24.01.2024 18:02

Në një kohë kur po rritet numri i të vdekurve dhe të plagosurve në luftimet e ashpra izraelito-palestineze....

Në një kohë kur po rritet numri i të vdekurve dhe të plagosurve në luftimet e ashpra izraelito-palestineze, Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqës ndërkombëtarë po bëjnë thirrje për armëpushim të përkohshëm, derisa mbeten dallime të theksuara te zgjidhja për një fund të përhershëm të luftës në Gazë. ShBA-ja ka konfirmuar se bisedimet janë të matura dhe serioze.
 
“Nuk mund t’i konfirmoj njoftimet konkrete që po shkruhen në media, por bisedimet janë të matura dhe serioze në përpjekje për të arritur edhe një marrëveshje për pengjet.”, - deklaroi zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, Xhon Kirbi. 
 
Tel Avivi mbetet në qëndrimin se lufta do të vazhdojë deri në fitoren e plotë ndaj Hamasit.
 
“Kjo është luftë në shtëpinë tonë dhe do të mbarojë me çrrënjosjen e agresionit dhe dëmit të nazistëve të rinj. Nëse Izraeli nuk fiton, ju do të jeni viktima të radhës.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Guterres: Izraeli po kërcënon paqen botërore
 
Komuniteti ndërkombëtar po rrit presionin për një zgjidhje me dy shtete. Refuzimi i vazhdueshëm i Izraelit kërcënon paqen globale, thotë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
 
"Paqja e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete. Refuzimi nga qeveria izraelite është i papranueshëm. Kjo do të zgjaste konfliktin, që është bërë një kërcënim i madh për paqen dhe sigurinë globale.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. 
 
Ndërkohë që luftimet po përshkallëzohen, mesazh për armëpushim ka shprehur edhe ministri i Jashtëm britanik, Kameron, i cili sërish është në vizitë në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, forcat izraelite të mbrojtjes vazhdojnë të rrisin presionin ndaj Hamasit, si nga ajri, ashtu edhe në tokë. Vazhdon gjithashtu shkëmbimi i zjarrit me Hezbollahun në jug të Libanit. Njëkohësisht, po rriten edhe sulmet Huthi në Detin e Kuq, por duke mos munguar dhe kundërpërgjigja e ShBA-së në Jemen, Irak dhe Siri.
 
BELINDA KOKA ADEMI