Deti i Kuq, Huthit sulmuan dy anije amerikane
25.01.2024 11:40
Dy anije me flamur amerikan që po transportonin mallra...

Dy anije me flamur amerikan që po transportonin mallra për Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe atë të Shtetit u sulmuan nga rebelët Huthi të Jemenit, në një ngjarje që po përsëritet gjithnjë e më shpesh në Detin e Kuq.
Sulmet ndaj anijeve “Maersk Detroit” dhe “Maersk Chesapeake” tregojnë edhe njëherë se incidente të tilla ndaj linjave të transportit detar përmes ngushticës së rëndësishme Bab el-Mandeb do të jenë të vazhdueshme.
Kompania daneze “Maersk” i konfirmoi agjencisë së lajmeve “Associated Press” emrat e dy anijeve dhe shtoi se në momentet e sulmeve ato po shoqëroheshin nga Marina Amerikane.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane bëri një deklaratë për ngjarje ku bëri me dije se rebelët lëshuan 3 raketa balistike ndaj anijeve, të cilët fatmirësisht u rrëzuan në det.
Grupi Huthi ka nisur sulme ndaj anijeve që nga muaji nëntor, për shkak të luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës duke thënë se po merr hak.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë disa sulme ajrore ndaj vendeve ku ruhen dhe nga ku lëshohen raketat e përdorura nga Huthit gjatë sulmeve.
Rebelët tashmë thonë se do të kenë në objektiv edhe anijet amerikane dhe britanike.
